Lajme

Kurti: Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit, viktimave iu takon përkrahja institucionale


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë lansimit të protokollit shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës se ka deklaruar se eliminimi i dhunës është detyrim i secilit individ.

Kurti, bëri thirrje që viktimat e dhunës të mbrohen dhe të përkrahen institucionalisht.

“Eliminimi i dhunës është detyrim i secilit veç e veç, e i neve të gjithëve së bashku. Viktimave iu takon përkrahja institucionale, përkujdesje adekuate shëndetësore e psikologjike”.

Ai madje ka theksuar edhe rastet kur institucionet e drejtësisë nuk i trajtojnë me prioritet rastet e dhunës.

“Ka raste kur institucionet i hedhin fajin njëra-tjetrës për mosveprim dhe gjithashtu shmangin përgjegjësitë apo neglizhojnë thirrjet e dhunës, kur ato trokasin në dyert e institucioneve. Në rastet e paraqitura, institucionet s’i kanë kryer rastet, duke i lënë pa trajtim rastet e viktimave”.

Sipas tij, prokuroritë e gjykatat duhet të dëshmojnë përkushtimin e ri për trajtimin e rasteve të dhunës.

Duke thënë kështu “se dhuna është çështje e sigurisë dhe mirëqenies, e jo private dhe familjare”.

Pjesëmarrëse në këtë organizim ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila deklaroi se janë rritur rastet e dhunës seksuale.

“Të dhënat tregojnë që ka një numër të madh të rritjes së dhunimeve seksuale. Nga viti 2019 deri në vitin 2021, janë 311 raste të ekzaminimit të mjekësisë ligjore”, tha Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ndërsa, shefi i misionit të EULEX-it të Kosovë, Lars Gunnar Wigemark tha se 85 për qind të rasteve të dhunës seksuale të raportuara kanë qenë gra nën moshën 18-vjeçare.

“Për shkak të stigmatizimit meshkujt nuk duan që të raportojnë këtë. Dhe sidomos grupi LGBTI hezitojnë. Ky protokoll tregon përkushtimin e qeverisë, për t’i drejtuar këto viktima në mënyrë të duhur sa i përket drejtësisë”.

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.

Foto nga vendi i ngjarjes.

Kurse Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), kishte konfirmuar për Albanian Post se ka filluar një hetim ndaj policëve të cilët janë angazhuar për grumbullimin e informacioneve në këtë rast.

Teksa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media kishte akuzuar sistemin e Drejtësisë për neglizhencë të rasteve të ngjashme.

“Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajze. Sikurse prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të ishte parandaluar. Kemi edhe disa informacione të tjera të cilat për shkak të hetimeve unë nuk mund t’i bëj të ditura”, deklaroi Haxhiu para gazetarëve.

Ndërsa, me 2 dhjetor ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se vrasësi i gruas shtatzënë, Sokol Halili e ka vrarë veten.

Për këtë ngjarje, që tronditi shoqërinë kosovare qindra qytetarë protestuan mbrëmjen e 1 dhjetorit në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi për të.

Më 25 nëntor, në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2 mijë e 67 raste të dhunës në familje me 2 mijë e 126 viktima.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore