Kosova

Ardhja e Pahorit në vend të Lajçakut mund ta rikthejë idenë e shkëmbimit të territoreve


Borut Pahor

Ardhja e ish-presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në krye të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mund ta rikthejë në tavolinë idenë e vjetër të shkëmbimit të territoreve në rrethanat e reja gjeopolitike, vlerësojnë njohës të çështjeve politike, megjithëse shtojnë se emërimi i një emisari të ri s’do të çojë peshë nëse nuk rishikohet procesi në tërësi.

Përkundër se për shumë diplomatë dhe ekspertë, perspektiva e ripërcaktimit të kufijve nuk duhet të izolohet a priori – një operacion që mund të hapë rrugë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë – për shumë të tjerë, madje për shumicën e politikanëve, kompromisi territorial nuk mund të jetë temë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në vitin 2021, pak muaj para fillimit të presidencës gjashtëmujore sllovene të Bashkimit Evropian (BE), në mediat boshnjake u shfaqën pretendime mbi propozimin e Sllovenisë për ripërcaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e problemeve kronike në këtë rajon. Dhe emri i Pahorit u përmend në këtë kontekst si ‘sponsorizues’ i “non-paper”-it slloven.

Ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, ndonëse e konsideron lehtësues faktin që Pahori vjen nga një shtet njohës, ndryshe nga emisari aktual i BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, shpreh drojën se nën mandatin potencial të ish-presidentit slloven mund të ringjallet ideja e dikurshme e shkëmbimit të territoreve.

“Përkundër se ish-presidenti Pahor vjen nga një shtet njohës, rekordi historik e diplomatik nuk është edhe shumë shpresëdhënës për interesin shtetëror të Republikës së Kosovës – duke qenë pjesë e diskutimeve – ashtu sikurse është raportuar para jo shumë viteve më parë – rreth idesë monstruoze të shkëmbimit të territoreve apo korrigjimit të kufijve”.

Duke parë trendin e zhvillimeve në pjesën veriore të territorit të Kosovës të banuar me shumicë serbe, ideja e shkëmbimit të territoreve gjeti konsideratë të madhe nën administratën e presidentit amerikan, Donald Trump, porse rivizatimi i kufijve shkaktoi “histeri” në kontinent. U kundërshtua edhe nga liderët e atëhershëm kosovarë, por edhe nga opozita, sot në pushtet.

Meliza Haradinaj-Stublla

Administrata Trump sugjeroi që procesi i dialogut të lëvizë mbi bazën e një parimi të ri: shkëmbimi i territoreve u kthye në tavolinën e negociatave ku të dyja palët negociuese do të rishikonin kufijtë e tyre përgjatë vijave etnike duke transferuar pjesën me shumicë serbe të veriut të Kosovës në Serbi, në këmbim të një pjese me shumicë shqiptare të Serbisë jugore në Kosovë.

Disa shtete evropiane, përfshirë Slloveninë, përkrahën idenë e shkëmbimit të territoreve, ndërsa disa të tjerë u treguan mosbesues rreth idesë së rishikimit të kufijve nga frika e hapjes së Kutisë së Pandorës në Ballkanin Perëndimor, posaçërisht në një rajon të rrethuar nga armiqësitë etnike. Por ideja mund të rikthehet sërish në agjendën e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

Toby Vogel, ekspert i politikës së jashtme të BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC), u shpreh i sigurt se do të rikthehet ideja joformale që u hodh mbi tavolinë në vitin 2018 për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, ndonëse vlerëson se Pahori nuk ka qenë asnjëherë figura kryesore që e shtyu përpara këtë ide në radhë të parë.

“Ish-presidenti Pahor s’ka qenë një eksponent i dukshëm i idesë së shkëmbimit të territoreve, por nuk kam asnjë dyshim se ideja do të përhapet përsëri – është një nga ato idetë e këqija që thjesht kthehen herë pas here”, nënvizon Vogel, derisa veçon pasojat negative të ndryshimit të kufijve mbi rendin dhe stabilitetin ndërkombëtar pas përfundimit të Luftës së Ftoftë.

“Së pari, nuk dihet nëse ky do të ishte vërtet një shkëmbim territoresh, apo aneksim i veriut të Kosovës nga Serbia pa ndonjë lëvizje paralele në Luginën e Preshevës. Së dyti, do të destabilizonte rajonin – mbi të gjitha Bosnjë e Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut. Së treti, do t’u sinjalizonte serbëve të Kosovës që nuk jetojnë në veri se nuk kanë të ardhme në Kosovë”.

Toby Vogel

“Aktualisht është e vështirë të thuhet nëse Pahori do të jetë i hapur për të diskutuar për shkëmbimin e territoreve, por nuk mund ta imagjinoj që lidershipi aktual i Kosovës do të ishte në çfarëdo mënyre i interesuar të lëshonte pjesë të vendit të tyre pa asnjë garanci se Serbia do të ndalet dhe ta njohë e respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”.

E ish-shefja e diplomacisë kosovare (2020–2021), duke marrë parasysh karakterin e zhvillimeve, potencon që nëse ish-presidenti slloven nuk e qartëson saktë interesimin e dikurshëm rreth shkëmbimit të territoreve, rrezikon të futet me “kredibilitet të dëmtuar” në procesin e negociatave midis Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga BE-ja që prej 2011.

Gjithmonë duke shprehur një nivel të lartë të mosbesimit ndaj Pahorit, ajo nënvizon se ideja e shkëmbimit të territoreve apo ndarja e Kosovës, vjen si rezultat i “devijimit i dialogut” për shkak të mugesës së “tri elementeve thelbësore” që, sipas saj, ende e mbajnë peng suksesin e negociatave: parimet, afafti kohor dhe qëllimi përfundimtar i normalizimit të raporteve.

“Definimi i dialogut nënkupton aplikimin e parimeve – paprekshmëria e kufijve, karakterit unitar dhe rendit kushtetues të shtetit të Kosovës – vendosjen e qëllimit përfundimtar të normalizimit e që është njohja reciproke, si dhe përcaktimi i afatit kohor të përfundimit të dialogut – dialogu është zhvilluar pa asnjë parim, pa afat kohor dhe pa qëllim përfundimtar”.

E ajo që duhet të ndodhë në vend të rikthimit të idesë së shkëmbimit të territoreve është që BE-ja të rishikojë politikat për të përcaktuar arsyet pse dështoi dialogu. Përderisa personalitetet luajnë një rol të caktuar, problemet kryesore janë të një natyre strukturore dhe nuk është fort e rëndësishme se kush e zëvendëson Lajçakun në pozitën e ndërmjetësit të dialogut.

“Në kushtet aktuale, nuk mendoj se ka shumë rëndësi se kush do të zëvendësojë Lajçakun. Sëkëndejmi, ndërsa kritikova emërimin e një lehtësuesi nga pakica e vogël e mosnjohësve të BE-së atëherë, dyshoj se edhe një diplomat më i mirë dhe më pak partizan se Lajçaku do të kishte pasur ndonjë sukses në dialog, duke pasur parasysh kushtet”, vëren Vogel.

Për emërimin e ndërmjetësit të ri në dialog, vendet anëtare të BE-së pritet të vendosin gjatë verës, ndërsa blloku përgatitet për raundin e ri të zgjedhjeve evropiane – cikli i ri elektoral për ulëset e Parlamentit Evropian (PE) në qershor pritet të përcaktojë edhe dinamikën e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Ndryshe, në kushtet kur Kosovës i është bërë barrë e madhe veriu, duke mos i dëshmuar besnikëri autoriteteve qendrore, dhe në kushtet kur formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është bërë “detyrë urgjente” dhe “hap ekzistencial” për Kosovën, atëherë as modeli i shkëmbimit të territoreve mes të dyja vendeve nuk do të largohet në mënyrë të prerë nga agjenda.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore