Kosova

Të hënën arrin në Kosovë kontingjenti i 41-të i ushtarëve kroat në kuadër të KFOR-it


Të hënën e 20 majit në Kosovë pritet të arrijë kontingjenti i 41-të i ushtarëve kroat në Kosovë në kuadër të KFOR-it.

Sipas njoftimit për media të Ministrisë së Mbrojtës së Kroacisë, kontingjenti i ri do të dërgohet në operacionin e KFOR-it “për mbështetjen e paqes në Republikën e Kosovës”.

“Forcat e 41-të të HRVCON KFOR-it përbëhen nga pjesëtarë të Kompanisë së Këmbësorisë së Motorizuar, Njësisë së Aviacionit, Njësisë ISR, Njësisë së Shtabit, elementëve të mbështetjes kombëtare logjistike dhe inteligjencës dhe ekipit mjekësor”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq ceremonia do të mbahet të hënën në orën 15:00 dhe në të do të marrë pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiç.

Një ditë më parë, Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozkan Ulutas, ka thënë se ngjarjet e ndodhura vitin e kaluar në Veri të Kosovës kanë cenuar situatën e sigurisë në rajon, prandaj edhe janë shtuar trupat ushtarake në kuadër të misionit paqeruajtës.

Këto komente, Ulutas i ka bërë gjatë një aktiviteti të organizuar nga Departamenti i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, ku ka theksuar se për shkak të tensionimit të situatës NATO ka dërguar 1 mijë trupa shtesë në Kosovë.

Ndryshe, vitin e kaluar në Veri të Kosovës ka mbizotëruar një situatë tejet e tensionuar – më e madhja që nga pas lufta – si protestat e dhunshme të serbëve lokalë, që si pasojë e tyre mbetën të lënduar dhjetëra ushtarë të KFOR-it.

Tensionet kulmuan me sulmin terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit, më në krye kriminelin Milan Radojiçiç, më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore