Lajme

IPK-ja nis hetimet ndaj policëve që u morën me rastin e gruas shtatzënë


Inspektorati Policor i Kosovës (IPK),

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), për rastin e vrasjes së gruas shtatzënë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka filluar një hetim ndaj policëve të cilët janë angazhuar për grumbullimin e informacioneve në këtë rast.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zyrtari për informim i IPK-së, Arbër Beka.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju konfirmojmë se Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim paraprak dhe ka autorizuar një grup hetimor të veçantë të zyrtarëve nga dy nga  departamentet operative  të IPK-së (Departamenti i Hetimeve dhe Inspektimeve) të cilët janë angazhuar në grumbullimin e të dhënave lidhur me veprimet apo mos veprimet e zyrtarëve policorë në trajtimin e rasteve që lidhen me incidentin në fjalë”, ka thënë Beka.

Ai tutje ka sqaruar se veprimet e tjera do të ndërmerren bazuar në autorizimet ligjore të Inspektoratit Policor të Kosovës në koordinim me institucionet tjera relevante.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka informuar se ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përshirë në trajtimin e rastit të ndodhur të mërkurën, ku ka mbetur e vrarë një grua shtatzëne në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës”, ka shkruar Sveçla.

Sveçla më tej ka bërë të ditur se nga Policia e Kosovës ka kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit, Sokol Halili.

Vrasja e gruas shtatzënë brenda QKUK-së

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.

Në anën tjetër i dyshuari S.H nga Shtimja, i cili dyshohet se vrau ish-bashkëshorten e tij shtatzënë, H.M mbrëmjen e të mërkurës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë, vazhdojnë të jetë në arrati.

Kështu thuhej në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Teksa rasti vazhdon të jetë në hetime nga njësitet kompetente policore.

Gjykata Themelore e Ferizajt, ka bërë të ditur se viktima ka pasur urdhër-mbrojtje.

Në njoftim thuhej se kërkesa për lëshimin e urdhrit mbrojtës ishte bërë me datë 8 shtator 2022.

Pas rastit në fjalë të enjten ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pasur një mbledhje me dyer të mbyllura me grupin e ngushtë ndërministror.

Me të përfunduar diskutimi në fjalë, Haxhiu në një konferencë për media, rastin në fjalë e ka cilësuar si papërgjegjësi institucionale, pasi prokurori kishte marrë vendim për lirimin e dorasit në këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore