Shqipëria

4.4 dollarë në ditë – Shqipëria me kostot më të larta në Evropë të dietës ushqimore


4.4 dollarë në ditë. Kaq i nevojiten një personi që jeton në Shqipëri vetëm për ushqim, për të plotësuar nevojat e një diete normale.

Kështu e ka përllogaritur kuotën Organizata Botërore e Ushqimit (FAO).

Kjo kosto sakaq, është e vlefshme për vitin 2021 dhe është më e larta në Evropë dhe në Rajon.

Në renditjen globale, me 163 vende, Shqipëria renditet në vendin e 28 për kostot e larta të dietës ushqimore ditore.

Indeksi i kostos së dietës ushqimore u gjenerua nga databaza e FAO-s dhe në Shqipëri rezulton të jetë e lartë, për shkak se në vend, pagat janë ndër më të ulëtat në Evropë dhe gati 30% më të ulëta se Rajoni.

Nga ana tjetër, çmimet janë të larta dhe për disa produkte më të larta se në vendet e BE-së.

Indeksi i FAO-s llogarit si vendin me koston më të lartë të jetesës Xhamajkën me 7 dollarë për frymë për person, e ndjekur nga Grenada dhe Suriname me 6.1 dollarë secila.

Kurse Britania e Madhe ka kostot më të ulëta të dietës ushqimore për person në ditë, sipas fuqisë blerëse me vetëm 2 dollarë në ditë, e ndjekur nga Irlanda me 2.2 dollarë.

Përgjithësisht – referuar Monitor-it – kostot e larta të ditës ushqimore i kanë vende të varfra dhe ato në zhvillim.

Pas Shqipërisë, kostot më të larta dietës ditore për ushqim në rajon i ka Serbia me 4.3 dollarë për person në ditë.

Kjo, ndjekur nga Bosnja me 4.1 dollarë në ditë, Mali i Zi me 3.7 dollarë në ditë dhe Maqedonia e Veriut me 3.6 dollarë në ditë.

Në vitin 2022, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”, zuri 39,7% në buxhetin familjar, me një rënie prej 1.6 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm.

Çka rezulton më e larta në Evropë.

Sipas Eurostat, për të njëjtin tregues, mesatarja e BE-së është 13%, ndërsa dhe në vendet e tjera të rajonit është më e ulët se në Shqipëri.

Familjet shqiptare janë aq të varfra sa detyrohen që pjesën më të madhe të të ardhurave të tyre t’i çojnë për t’u ushqyer.

Po ashtu – sipas Eurostat – shpenzimet nominale për ushqime në Shqipëri ishin sa 31% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ose asaj që prodhon ekonomia në një vit, në vitin 2022.

Shifra rezulton sërish më e larta në Evropë dhe shumë më tepër sesa mesatarja prej 6.3% e PBB-së së BE-së.

Në Shqipëri, çmimet e ushqimeve janë sa 83.7% e mesatares së Bashkimit Evropian, e treta më e shtrenjtë në rajon, pas Serbisë dhe Malit të Zi.

Më të lirat në rajon janë çmimet në Maqedoninë e Veriut, me 68.2% e mesatares së BE-së.

Për bukë e drithëra, në Shqipëri shpenzohet 4.3% e PBB-së, nga 1.1% që është mesatarja evropiane.

Për qumësht, djathë dhe vezë, shpenzimet janë sërish rekord në 5.1% të PBB-së, nga vetëm 1% që është mesatarja e BE-së.

Familjet shqiptare i blejnë këto produkte 11.8% më shtrenjtë sesa mesatarja evropiane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore