Muzikë

Mesazhet e fuqishme rreth efekteve të luftës në Ukrainë, gjatë performancës në Eurovision


Ukraina ka treguar se është një shtet, i cili e merr shumë seriozisht paraqitjen në festivalin më të madh muzikor kontinental, Eurovision Song Contest.

Çdo vit, këngët ukrainase paraqiten me mesazhe të fuqishme, shpalosje të traditave të vendit dhe me efekte vizualisht të jashtëzakonshme për nga estetika e tyre dhe për nga ultimatumi social-kulturor që transmetojnë.

Në vitet e fundit, pas pushtimit rus, lufta në Ukrainë ka zënë vend në mesazhet që përçohen përmes këngëve, apo performancave dhe kanë gjetur sukses tejet të madh edhe tek audienca.

Në vitin 2022 fjala bie, kantautori Kalush dhe orkestra e tij me këngën hit Stefania, e cila ishte kthyer në hit për nënat ukrainase, të cilat si heroina vijojnë të përjetojnë luftën, fitoi konkursin muzikor.

Viti 2024 po ashtu pa një këngë që për lajtmotiv ka gratë e Ukrainës dhe rezistencën e tyre, apo aftësinë për të qëndruar stoike. Ajo u këndua nga kantautorja alyona alyona dhe vokalistja Jerry Heil, nën titullin Teresa & Maria (referuar Shën Terezës dhe Shën Mërisë).

Aspektet më goditëse të paraqitjes ukrainase në Eurovision megjithatë, kanë të bëjnë me ngjarje të kobshme, për popullin që po mbron vlerat evropiane të gjithë kontinentit.

Në hyrje të performancës, vokalistja Jerry Heil e nis me një ecje për në skenën e gjatë në stadiumin e Malmos.

Në ekranin e poshtëm dhe atë ballor, fillon të shfaqet një vërshim uji katastrofik, i cili më pas edhe “përpin” këngëtaren.

Në realitet, kjo paraqitje i referohet ngjarjeve në digën e rezervuarit Kakhovka, e cila u shkatërrua nga Rusia mes bombardimeve dhe shkaktoi përmbytje të mëdha – një kataklizëm e vërtetë e bërë nga duart e njeriut.

Në vijimin e ekspozesë, Heil fillon të ngjitet në një shkëmb të improvizuar mes skenës dhe në sfond fillojnë të shfaqen disa drita thuajse meteorike, të cilat bien në tokë. Nuk bëhet fjalë për një festë me fishekzjarrë!

Reflektohet përmes kësaj pamje, metaforikisht, goditja e tokës ukrainase me bomba fosfori, të cilat përdoren nga Rusia çdo ditë kundër Ukrainës, në këtë luftë të përgjakshme, e cila ka përfshirë gjithë Evropën në më shumë se dy vitet e fundit.

Në mbyllje ndërkaq, të dy këngëtaret bashkohen në skenë dhe ulen në tokë, ku në ekranin gjigand shfaqen fotografi të nënave, motrave, vajzave ukrainase, të cilave për shkak të rrethanave, u duhet të presin të dashurit e tyre nga lufta, apo edhe të marrin lajmin e kobshëm se nuk do t’i shohin më të dashurit.

Në kontrast me Izraelin, i cili u vërshëllye për qëllimet e transmetimit të mesazheve pro-izraelite dhe kundër Hamasit, Ukraina dhe performanca e tyre jo vetëm që nuk u diskutua, por edhe u vlerësua tej mase, duke zënë vendin e tretë në radhitjen e përgjithshme.

Madje, një episod reflektoi posaçërisht se si evropianët, kanë ende mbështetjen e plotë të kauzës së Ukrainës, por jo atë të Izraelit kundër palestinezëve.

Në kohën e dhënies së pikëve, vërshëllimat përpinë gjithë stadiumin e Malmos, kur Eden Golan e Izraelit mori përkohësisht kryesimin.

Paradoksalisht, nga vendi i parë, e zbriti pikërisht alyona alyona dhe Jerry Heil, të cilat sapo e kaluan Golan-in në renditje, morën një ovacion dhe një oshëtime të stërmadhe nga gjithë publiku i pranishëm në Eurovision.

Reflektimi i përkryer i një kauze të drejtë? Publiku vetë, foli…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore