Kosova

Allen pas takimit me Kurtin: Të zbatohen të gjitha marrëveshjet që kanë bërë Kosova dhe Serbia


Nënsekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet që i kanë arritur në dialog.

“Vlerësoi diskutimin gjithëpërfshirës me kryeministrin e Kosovës. Albin Kurti. Kosova bën pjesë në BE dhe në NATO. Ne kërkojmë zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve që kanë bërë Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shrkuar ajo në platformën X.

Allen që po qëndron për vizitë në Kosovë, paraprakisht është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, derisa ka theksuar se me këtë të fundit ka biseduar për shumë çështje, ndër to edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne e mbështesim rrugëtimin e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë. Diskutuam edhe për hapat kryesorë për udhëtimin euroatlantik të Kosovës përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, tha Allen në konferencë për media.

Ndërkaq sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit mes dy shteteve kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja, Allen ka theksuar se qeveritë autoritare manipulojnë informacionin dhe përhapin dezinformata për të ndikuar tek njerëzit në mbarë botën për të ulur besimin në institucione, veçanërisht në ato demokratike.

“Siguria dhe stabiliteti në Evropën Jugore dhe Qendrore, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor janë prioritetet kryesore që kam theksuar në çdo pjesë të udhëtimit tim në rajon”, potencoi Allen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore