Lajme

Protesta në Prishtinë, hidhen mjete zjarrëvenëse në drejtim të Qeverisë


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Protestuesit kanë hedhur mjete zjarrvënëse pranë objektit të Qeverisë së Kosovës në shenjë revolte për ngjarjen trishtuese që ndodhi të mërkurën në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Sipas raportimeve të mediave, aktivistja Neri Ferizi, është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se ka hedhur mjetin shpërthyes në drejtim të ndërtesës së qeverisë.

Protesta filloi rreth orës 16:00, në qendër të Prishtinës, përkatësisht në Sheshin Zahir Pajaziti nën moton: “Dorëheqja nuk mjafton” dhe “Polici i keni duart me gjak”.

Qindra protestues kanë bërë thirrje që autoritetet përkatëse të dorëhiqen pas vrasjes që tronditi shoqërinë kosovare.

Ngjarja makabre – një javë nga vrasja tjetër e një guraje nga burri i saj në Prishtinë – ndodhi rreth orës 18:00, në oborrin e Spitalit të Gjinekologjisë.

Vdekja i zuri vend lindjes, gjë që i jep karakter më monstruoz rastit.

Në anën tjetër, vrasësi S.H., 31 vjeçari nga Shtimja, është ish-bashkëshorti i viktimës dhe vazhdon të jetë në arrati.

Ai e ka qëlluar me disa plumba ish-bashkëshorten, Hamide Magashin, nga fshati Llugaxhi i Lipjanit.

Teksa rasti vazhdon të jetë nën hetime nga njësitet kompetente policore, Gjykata Themelore e Ferizajt, ka bërë të ditur se viktima ka pasur urdhër-mbrojtje që nga data 8 shtator 2022.

Një shoqëri që po zhytet në një krim simptomatik ndaj grave, sot është rasti të bëjë një pakt: Kundër dhunës! Çfarëdo dhe pavarësisht motivit.

Kosova është vetëm një nga vendet e shumta që po përballet me dhunën ndaj grave, atë që Kombet e Bashkuara e kanë quajtur “pandemi globale nën hije”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore