Lajme

Vetëvritet vrasësi i gruas shtatzënë


Sokol Halili, vrasësi i gruas shtatzënë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka njoftuar se vrasësi i gruas shtatzënë, Sokol Halili e ka vrarë veten.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Pas një pune intenzive të të gjitha njësiteve të Policisë së Kosovës është arritur që të lokalizohet vendndodhja e vrasësit Sokol Halili. Përkundër tentativës së zyrtarëve policor që të negociojnë dorëzimin, dorasi vret veten”, ka thënë ai.

Sveçla, ka sqaruar se hetimet lidhur me këtë rast nuk do të ndalen.

“Policia e Kosovës si dhe Inspektoriati Policor i Kosovës do të vazhdojnë hetimet për zbulimin e të gjitha rrethanave të vrasjes së gruas shtatëzënë dhe vetëvrasjes së dorasit”.

Edhe Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka dhënë detaje lidhur me vetëvrasjen e Halilit në shtëpinë e tij.

“Bazuar në hetimet intensive dhe veprimet operative-hetimore, sot më 02 dhjetor 2022, rreth orës 13:45 njësitet policore kanë arritur të lokalizojë vendndodhjen e të dyshuarit mashkull kosovar, Sokol Halili, viti i lindjes 1991, i cili gjendej në fshatin Davidovc të komunës së Shtimes”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ky institucion ka thënë se pavarësisht të gjitha përpjekjeve, i njëjti ka vendosur të mbys veten.

“Përkundër të gjitha masave të ndërmarra dhe tentativës për negocim, nga njësitet dhe kompetentët policorë i njëjti nuk është dorëzuar dhe me armës zjarri ka kryer aktin e vetëvrasjes”.

Lidhur me rastin janë duke vazhduar veprimet e mëtejme nga njësitet relevante policore, përfshirë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, përderisa për procedura të mëtejme janë informuar Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës

Halili ishte në arrati që nga e mërkura e 30 dhjetorit, Polica kishte kërkuar bashkëpunim edhe nga qytetarët për gjetjen e tij.

Për vrasësin e 35 vjeçares, Gjykata Themelore e Ferizajt, ka konfirmuar se kishte pasur urdhër-mbrojtje ndaj gruas e cila u vra në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Me datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëgjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje”, thuhej në dokumentin dërguar Albanian Post.

I dyshuari për vrasjen e gruas se tij, akuzohej edhe për veprën penale kanosje, ndaj të dëmtuarës H.M.

“Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet. Gjykata në afatin prej 30 ditëve konform nenit 245, 249 dhe 250 të KPP-së, i ka njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësin e tij se mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave”.

I njëjti akuzohej edhe për veprën penale mbajtja në pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve.

“Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”.

Vrasja e gruas shtatzënë brenda QKUK-së

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.

Foto nga vendi i ngjarjes.

Kurse Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), kishte konfirmuar për Albanian Post se ka filluar një hetim ndaj policëve të cilët janë angazhuar për grumbullimin e informacioneve në këtë rast.

Teksa ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media kishte akuzuar sistemin e Drejtësisë për neglizhencë të rasteve të ngjashme.

“Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajze. Sikurse prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të ishte parandaluar. Kemi edhe disa informacione të tjera të cilat për shkak të hetimeve unë nuk mund t’i bëj të ditura”, deklaroi Haxhiu para gazetarëve.

Për këtë ngjarje, që tronditi shoqërinë kosovare qindra qytetarë protestuan mbrëmjen e 1 dhjetorit në Prishtinë, duke kërkuar drejtësi për të.

Më 25 nëntor, në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2 mijë e 67 raste të dhunës në familje me 2 mijë e 126 viktima.

Për ligjin që do shpëtonte jetë ka edhe kapacitete edhe buxhet – por, qeveria s’e trajtoi me prioritet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore