Lajme

Vritet një grua shtatzënë brenda QKUK-së


Foto nga vendi i ngjarjes.

Brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në oborrin e Spitalit të Gjinekologjisë është vrarë një grua 35 vjeçare.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.

Jo zyrtarisht, dyshohet se dorasi është ish-bashkëshorti i viktimës.

Foto nga vendi i ngjarjes.

Ahmeti ka sqaruar se mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.

Ndërsa ka shtuar se policia është në vendin e ngjarjes dhe hetimet kanë nisur.

“Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim  sqarimin e plotë të ngjarjes”.

Nuk dihen zyrtarisht akoma motivet e vrasjes, por siç ka kuptuar Albanian Post nga burime brenda QKUK-së, viktima ishte e shtrirë në gjinekologji, në pritje për të lindur.

Albanian Post fillimisht mori vesh nga burime brenda policisë që dorasi ishte arrestuar, por më pas u kuptua që policia akoma nuk ka arritur ta arrestojë të dyshuarin për vrasjen.

Bëhet e ditur se dorasi është nga komuna e Shtimes, derisa viktima nga një fshat i Lipjanit.

QKUK konfirmon vrasjen

Vrasja është konfirmuar edhe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Gjithçka ndodhi rreth orës 18:00, në oborrin e QKUK-së, thuhet në njoftim.

“Policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim të sqarimit të plotë të ngjarjes. Detajet e tjera do të jepen nga organet kompetente që janë duke kryer hetimet”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Brenda muajit nëntor kjo është gruaja e dytë që është vrarë në Kosovë.

Edhe më 25 nëntor, u raportua se një burrë e kishte vrarë gruan e tij me sëpatë, ngjarje e cila kishte ndodhur në Prishtinë.

Në po të njëjtën ditë në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizimit kundër Dhunës me Baza Gjinore” organizuar nga Ministria e Drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore