Lajme

Sanduloviç, Hill-it: Të turproheni nga vetja – keni arritur ta rrëzoni vetën dhe Amerikën


Politikani opozitar serb, Nikolla Sanduloviç dhe ish kreu i OSBE-së, William Walker.

Politikani opozitar serb, Nikolla Sanduloviç, ka thënë se për një fotografi me ish kreun e OSBE-së në Kosovë, William Walker, është pyetur nga BIA në Serbi kur ishte rrëmbyer në janar.

Sanduloviç, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, vlerësoi kontributin e Walker, teksa ka parashtruar disa pyetje për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Serbi, Christopher Hill.

“Pse nuk iu përgjigjët pyetjes që William Walkerit kur ju bëri për atentatin tim, teksa unë luftoja për jetën time në burgun e Vuçiç-it? Nuk keni guxuar të ndërhyni dhe komentoni për atentatin tim nga regjimi diktatorial i Aleksandër Vuçiç-it? Pse nuk folët atëherë? A i justifikoni vrasjet politike në Serbi nga Aleksandar Vuçiçi ndaj kundërshtarëve të tij politikë?”, ka thënë ai.

Sipas tij, Hill duhet të turpërohet nga vetja për veprimet që po i bën duke e dëmtuar SHBA-në.

“Duhet të ju vijë turp nga vetja, zotëri Christopher Hill, për atë se sa larg keni arritur ta rrëzoni veten dhe Amerikën”.

Sanduloviç, bëri homazhe më 2 janar në kompleksin “Adem Jashari”, në Prekaz duke vendosur një kurorë në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Unë jam i vetmi politikan nga Serbia që kam ardhur për të nderuar viktimat e pafajshme shqiptare, familjen Jashari në Prekaz. Unë kërkova falje dhe kërkova falje në emër të serbëve që nuk e bënë këtë”, kishte shkruar ai.

Një ditë pas kësaj video, avokati i tij, Çedomir Stojkoviç, bëri të ditur se Sanduloviçi ishte arrestuar më 3 janar dhe se familja e tij nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Kush është Sanduloviç?  

Nikolla Sanduloviç, është kryetar i Partisë Republikane, parti e cila që nga themelimi në vitin 2015, nuk e ka kaluar pragun zgjedhor.

Në jetën politike të Serbisë, ai u shoqërua me polemika, kryesisht në lidhje me akuzat për përhapjen e lajmeve problematike, të cilat kulmuan gjatë pandemisë.

Megjithatë, ngjarja më e rëndë që lidhet me emrin e tij është nga janari i vitit 2010, kur ai u plagos në shpërthimin e një bombe të vendosur nën makinën e tij në Beograd.

Rasti është ende i pazbardhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore