Lajme

Kurti e di që dëmi i Zajednicës e eklipson çdo përfitim nga anëtarësimi në KiE


Foto: Albanian Post

Mosgatishmëria e Qeverisë për ta dërguar statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ka bërë që Franca, Gjermania dhe Italia të kërkojnë shtyrjen e vendimit për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, derisa njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se duhet “mobilizim” i institucioneve para mbledhjes së Këshillit të Ministrave që do mbahet këtë muaj në Strasburg.

Për ish-zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Valon Murtezaj, tani profesor i diplomacisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Paris, hezitimi i disa vendeve evropiane ka të bëjë me një lloj “mosbesimi” se çfarë do të ndodh me zbatimin e Asociacionit pas anëtarësimit eventual të Kosovës ne Këshillin e Evropës.

“Në anën tjetër hezitimi i qeverisë së Kosovës është për shkak të moszbatimit të marrëveshjes bazike nga ana e Serbisë dhe sjelljes destruktive të saj”, tha Murtezaj në një bisedë për Albanian Post.

Tash sipas Murtezajt, ajo çfarë duhet të bëjë qeveria e Kosovës është të ‘intensifikojë në maksimum” komunikimin me Francën, Gjermaninë dhe Italinë, deri në ditën e fundit, dhe të ofrojë evidencë të garancive që mund të kërkohen.

“Duhet theksuar që Kosova në bazë meritore ka të plotësuara kriteret për të qenë anëtare e Këshillit të Evropës. Raporti i zonjës Bakoyannis i ka nënvizuar të gjitha elementet përcjellëse të procesit”.

Valon Murtezaj

Ndërkaq në sytë e studiuesit dhe sociologut kosovar, Shkodran Ramadani, kryeministri Albin Kurti, e kupton mirë gabimin që e ka bërë, meqë është zotuar “për Autonomi të serbëve në këmbim të Këshillit të Evropës”, derisa sipas tij, kyrqeveritari kosovar tash po mundohet ta zvarritë procesin e po shpreson “në ndonjë mrekulli”.

“Kosova duket që është në vit zgjedhor dhe Kurti e di që dëmi i Zajednicës e eklipson çdo përfitim nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës”. Fatkeqësisht, zotimi është bërë, marrëveshja është nënshkruar dhe ka pi macja ujë. Jemi në një proces të pakthyeshëm. Obligimet e marra përsipër janë aty për të qëndruar: mbi supet e çdo qeverie të Kosovës”, potencoi Ramadani për AP.

Madje sipas tij, “hendeku për Kosovën” sa do të vijë e të ngushtohet dhe fushëveprimi do të zvogëlohet dhe se do të ketë gjithnjë e më pak mundësi të manovrohet.

“Format e presionit, sanksioneve dhe izolimit mbi Kosovën do të rriten dhe intensifikohen. Më keq se kaq, në një skenar të tillë Serbia do të ketë hapësirë më shumë për intervenime të rrezikshme në veriun e vendit. E më e keqja, edhe toleranca e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt këtyre veprimeve të Serbisë do të jetë më e lartë”.

Shkodran Ramadani

Në debatit që u zhvillua brenda Asamblesë Parlamentare të KiE-së, ku kundërshtimet e përfaqësuesve serbë ishin të ashpra, njëra nga ato që u përballë me to dhe që ngriti fuqishëm zërin pro Kosovës, duke argumentuar se pse Prishtina duhet të anëtarësohet në këtë organizatë ishte pikërisht deputetja e BDI-së, Arta Bilalli.

Bilalli, thotë për Albanian Post se disponimi i deputetëve gjerman dhe francez, gjatë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka qenë pozitiv për anëtarësimin e Kosovës, derisa ka shtuar se politika ndërkombëtare ndonjëherë i reflekton edhe zhvillimet të cilat nuk janë thjeshtë “bardhë e zi”.

“Sinqerisht, uroj të mos vjen deri tek një shtyerje apo prolongim i marrjes së vendimit final nga ana e Këshillit të Ministrave sepse do të ishte zhgënjyese, para së gjithash për popullin e Kosovës”, theksoi deputetja shqiptare në RMV.

Për Bilallin, Franca dhe Gjermania janë dy shtete të fuqishme dhe me ndikim në Evropë të cilat edhe e parashtruan propozimin franko-gjerman për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi.

“Pikat e parapara në propozimin franko-gjerman, sipas mendimit tim duhej të shërbejnë si bazë mbi të cilën Kosova do të kultivonte më tutje raportet me këto dy shtete dhe njëherit, duke pasur parasysh edhe qëndrimin e tyre miqësor ndaj çështjes së Kosovës ndër vite, koordinimi dhe bashkëpunimi nuk duhet të mungojnë në momente kyçe siç është pranimi i Kosovës në Këshillin e Evopës.

Arta Bilalli

Të hënën, AP ka raportuar se vendet e QUINT-it i kanë kërkuar kryeministrit Kurti që të bëjë përparime në çështjen e Asociacionit duke e dërguar statutin për shqyrtim në Kushtetuese.

Duke marrë parasysh faktin se përkundër zotimeve Qeveria nuk ka bërë asnjë hap në këtë drejtim, Franca ka bërë një demarsh te vendet anëtare të KiE-së, duke kërkuar shtyrjen e vendimit për Kosovën.

Vlen të theksohet se këtë qasje nuk e ka mbështetur edhe Mbretëria e Bashkuar, sipas së cilës, çështja e Asociacionit si produkt i bisedimeve të Brukselit nuk duhet të ngatërrohet me çështjen e anëtarësimit në KiE.

Ekskluzive: Franca kërkon shtyrje të vendimit për anëtarësim të Kosovës në KiE

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore