Kosova

De Rui: Drafti i Lajçakut të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese


Antonello De Riu

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, theksoi se Italia nuk e konsideron të vlefshëm letërzotimin e ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, drejtuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për hartimin e një draftstatuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin do ta dërgonte pastaj në Gjykatën Kushtetuese.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Kosova Press” të dielen, ambasadori i një prej shteteve që kushtëzoi rrugën e mëtejshme të Kosovës në Këshillin e Evropës, potencoi se Roma e mbështet veç draftstatutin e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Prishtinë-Beograd për këtë pajisje vetëmenaxhuese për serbët në Kosovë.

“Ai që është shpallur nga Ministria e Jashtme nuk mund të konsiderohet i vlefshëm për ne. Ne kishim një draft të propozuar nga BE-ja, të cilin e panë si Kosova, ashtu edhe Serbia. Ky draft nuk u hodh poshtë. Pra, natyrisht, tani jemi në pritje të kuptojmë se çfarë synon të bëjë Qeveria e Kosovës me propozimin e BE-së”, deklaroi ambasadori italian në këtë intervistë të fundit.

Vjeshtën e kaluar, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ua paraqiti liderëve në Prishtinë dhe Beograd një draftstatut “modern e evropian” për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Ky draftstatut, në bazë të deklaratave të zyrtarëve evropianë, merr parasysh “vijat e kuqe” të përcaktuara nga Kushtetuta e Kosovës.

Kërkesa e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës nuk u mor parasysh nga Komiteti i Ministrave – organi vendimmarrës i organizatës – pavarësisht letërzotimit të shefes së diplomacisë kosovare, kryesisht për shkak se Gjermania, Franca dhe Italia, vendosën kusht që Kosova të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kosova u mbështet nga shumica e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në panteonin e kombeve të barabarta evropiane. Megjithatë, rruga e vendit të vogël ballkanik devoji krejt në fund, duke bërë që anëtarësimi në këtë organizatë të rëndësishme të shtyhet për të paktën një vit, nëse jo më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore