Shqipëria

Vizita e Cameron në Tiranë: Fokus emigrantët dhe plani për gjyqësorin


Ambasada Britanike në Tiranë këtë të shtunë të 19 majit ka zbardhur detaje nga vizita e sekretarit të Jashtëm britanik, David Cameron, javën e ardhshme.

Kështu ambasada njofton se në fokus të bisedimeve do jetë emigracioni i paligjshëm.

Gjithashtu Cameron do të prezantojë një plan që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

“Si pjesë e lidershipit në rritje të Mbretërisë së Bashkuar për të gjetur zgjidhje për sfidën pan-evropiane, Sekretari i Jashtëm britanik do të udhëtojë në Shqipëri këtë javë për t’u takuar me Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm shqiptar për të diskutuar mbi bashkëpunimin Shqipëri-Britani e Madhe, për kontrollin e emigracionit të paligjshëm në vijën e parë të frontit”, shkruan ambasada.

Më tej thuhet se, sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit.

Vlen të theksohet se Cameron do të mbështetet në lidershipin e Mbretërisë së Bashkuar në trajtimin e krimit të organizuar duke njoftuar një program të ri që lidhet me gjyqësorin, për të trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri.

Po ashtu sekretari britanik do të ofrojë ekspertizën e Mbretërisë së Bashkuar për Policinë Shqiptare dhe për agjendën e tyre të reformës.

Cameron në Shqipëri, shpalos programin për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar

Ndërkaq vetëm disa ditë më parë kryeministri britanik bisedoi me homologun shqiptar.

Lajmi u bë me dije nga zyra e kryeministrit britanik.

Sipas njoftimit dy liderët diskutuan për marrëdhëniet e ngushta mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, duke vënë në dukje bashkëpunimin e rëndësishëm dypalësh, duke përfshirë tregtinë dhe investimet.

Sunak vuri në dukje progresin e fortë të bërë nëpërmjet partneritetit MB-Shqipëri për migracionin.

Të dy udhëheqësit pranuan më shumë punë për t’u bërë për të trajtuar sfidën e migracionit të paligjshëm në Evropë dhe mezi prisnin ta diskutonin më tej këtë në takimin e Komunitetit Politik Evropian në MB në korrik.

Më tej thuhet se Rama dhe Sunak nënvizuan rëndësinë e sigurimit të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë e Kosovë.

Duke iu kthyer situatës në Lindjen e Mesme, udhëheqësit diskutuan rëndësinë e trajtimit të rritjes së antisemitizmit në të gjithë globin dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta të tolerancës dhe respektit.

Vlen të theksohet se lidhjet tregtare u dyfishuan vitin e kaluar dhe turistët e Britanisë së Madhe drejt Shqipërisë u rritën me 30% në janar 2024 krahasuar me janarin 2023, duke i hapur rrugën parashikimeve të turizmit në nivel rekord këtë vit.

Sa i takon emigrantëve Britani nënshkroi një “komunikim të përbashkët historik” me Shqipërinë në dhjetor 2022 për të përshpejtuar largimin e shtetasve shqiptarë që thotë se ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar ilegalisht në vendin e tyre.

Rishi Sunak ka vlerësuar marrëveshjen e deportimit me Shqipërinë sipas së cilës mijëra janë kthyer në vendin e tyre të origjinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore