Lajme

Met Gala 2024, cilët yje lulëzuan


Lule? Pranverë? Inovacion?

Tema e Met Gala-s së këtij viti nuk do t’i kishte lënë asnjë përshtypje, Miranda Priestly, të “The Devil Wears Prada”, por kjo nuk i ka penguar yjet të ecin në tapetin e kuq me veshjet e tyre të frymëzuara nga oborret e kopshteve.

Ata u ftuan të kenë imagjinatë me kodin e veshjes 2024, “The Garden of Time”, frymëzuar nga një histori e shkurtër me të njëjtin emër nga JG Ballard.

Disa yje e zbatuan temën fjalë për fjalë, duke marrë frymëzim nga lulet, petalet dhe gjethet, ndërsa të tjerë luanin me temat e historisë.

Këtu janë disa nga veshjet më tërheqëse:

Nicky Minaj ka nevojë për ujitje

Nëse keni nevojë ndonjëherë që dikush t’ju sjellë lule gjatë shiut të rrëmbyeshëm, Nicki Minaj është aty për ju.

Fustani i verdhë i këngëtares ishte i mbuluar me lule metalike 3D në forma dhe madhësi të ndryshme – një pamje e cila u plotësua nga një model flokësh bob me një bisht të harkuar.

Levy dhe Edebiri ndahen në dy pjesë

Aktorja e “The Bear”, Ayo Edebiri dhe ylli i Schitt’s Creek, Dan Levy, zgjodhën të mbanin modelet e tyre me lule, me veshje që dukeshin tradicionale nga lart, por lulëzonin nga beli e poshtë.

Edebiri kishte veshur një fustan me një model lulesh të qëndisur me dorë, që synonte të krijonte iluzionin e lulëzimit.

Në mënyrë të ngjashme, Levy veshi atë që dukej si një kostum klasik nga gjysma e sipërme, por që zbehej në motive lulesh të ndezura.

Demi Moore është gati të gjuajë shigjetat

Demi Moore kishte një nga pamjet më të bukura të natës, edhe nëse harroi të sillte harkun për të shpuar me shigjetat e saj.

Fustani prej kadifeje i aktores, i dizajnuar nga Harris Reed, ishte zbukuruar me bozhure të mëdha rozë të bëra nga letër-muri (seriozisht).

Reed tha se iu deshën më shumë se 5 mijë orë për t’i realizuar.

Lea Michelle ishte në lulëzim të plotë

Një Lea Michelle vezulluese eci në tapet e veshur me një fustan me pelerinë prej tyli, dy muaj pasi njoftoi se ishte shtatzënë për herë të dytë.

Ylli i Glee dhe bashkëshorti i saj, Zandy Reich, të cilët kanë një djalë tre-vjeçar, Ever Leo, thanë se ishin “të gëzuar” që po prisnin përsëri një fëmijë.

Bad Bunny solli një buqetë

A dukej Bad Bunny sikur e kishte hequr xhaketën e kostumit nga makina qepëse para se rrobaqepësi të kishte përfunduar me të vërtetë? Po.

Por ai ende dukej i mrekullueshëm.

Ai kishte veshur një kostum Maison Margiela – në ngjyrë blu të kaltër por me fije të bardha që i ngjanin vijave.

Ai mbante një buqetë me lule të bërë nga i njëjti material si xhaketa e tij, që synonte t’i ngjante Flor de Maga-s, lules kombëtare të Puerto Rico-s; trëndafila, një simbol i bukurisë dhe pastërtisë; dhe bima e lirit, mbi të cilën Bukuroshja e Fjetur shpoi gishtin në përrallën e famshme.

Seyfried ishte argjend

Aktorja e Mamma Mia, Amanda Seyfried, kishte veshur një fustan metalik me shkëlqim dhe plot lule.

Aq tërheqës sa fustani i Elizabeth Stewart ishin edhe flokët prej platini dhe koka me gurë të çmuar të Seyfried, të cilat i ngjanin gjetheve në hardhi.

Lil Nas X shkëlqeu

Këngëtari dhe reperi kishte veshur një kostum të bardhë nga Luar, i cili përmbante panele asimetrike prej pëlhure me tegela argjendi vezulluese dhe linja të lakuara gjeometrike.

Për sa i përket temës, mendojmë se veshja mund të ishte bërë me disa lule të tjera, por do të mjaftohemi vetëm me trëndafilin e bardhë të vetmin që zbukuroi jakën e tij.

Rebecca Ferguson po ndihej e mërzitur

Pse të vishesh që të dukesh si lule dhe pemë, kur mund të bësh haraç për zogjtë që fluturojnë mes tyre?

Kur aktorja Rebecca Ferguson u shfaq për herë të parë në Met Gala, ajo ishte e veshur me një mantel të zi.

Por ylli më vonë e hapi atë për të zbuluar një fustan të bukur, të zbukuruar me korb të zinj – një pamje e paharrueshme për Met Gala-n e saj të parë.

Sydney Sweeney debutoi me një look të ri

Sydney Sweeney shkëlqeu me një fustan blu të Miu Miu me kërcelle lulesh të zeza.

Ylli i Euphoria-s ‘hoqi’ flokët e saj tradicionale bionde për ngjyrën e zezë, të përshtatur me dorezat e saj.

Cat Doja erdhi direkt nga dushi

Këngëtarja dhe reperja kishte veshur një peshqir në kokë dhe një tjetër rreth belit teksa mbërriti, por më vonë i hodhi mënjanë për të zbuluar një bluzë të bardhë të njomur me përmasa të mëdha.

Make-up artistja britanike, Pat McGrath, iu dhuroi syve të saj bojë për vetulla argjendi që dukej sikur po derdhej nga sytë.

Zendaya solli një ndryshim kostumi

Aktorja, e cila kohët e fundit luajti në Dune 2 dhe Challengers, është një nga bashkëkryesueset e Met Gala të këtij viti.

E veshur me një krijim të John Galliano bazuar në një fustan Dior të vitit 1999, Zendaya ishte e mahnitshme me një fustan blu mbretëror dhe jeshil smerald, me zbukurime që dukeshin sikur të ishin frymëzuar nga pemët frutore.

Rreth dy orë pasi ajo eci për herë të parë në tapetin e kuq, ajo u kthye për t’i dhënë fansave një grim të ri, një fustan të ri dhe një atmosferë krejtësisht të re.

Zendaya e mbylli natën duke veshur një fustan të zi – pjesë e vitit 1996 nga John Galliano Epoka e Givenchy – e shoqëruar me një buqetë të tërë me lule në kokë.

Lule? Për pranverë?

Marrë nga “BBC”, përshtatur për Albanian Post 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore