Lajme

Progres – por jo marrëveshje – për dinarin


Ilustrim

Negociatorët e Kosovës dhe Serbisë u mbyllën mbi shtatë orë në një prej zyrave të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel të Belgjikës të enjten për t’i vazhduar negociatat mbi çështjen e dinarit, por që – sërish – rezultuan pa marrëveshje, derisa palët u zotuan se do t’i vazhdojnë përpjekjet gjatë javëve të ardhshme nën shpresën për të gjetur një zgjidhje përmes kompromisit.

Emisari Special i BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, pas ciklit të ri të negociatave të pasuksesshme që u zhvilluan të enjten e 25 prillit në kryeqendren evropiane, tha se pret nga të dyja palët “komente konstruktive” mbi “kompromisin e propozuar” për çështjen e transferimit të mjeteve financiare në dinar nga Serbia në Kosovë.

“Unë prita një takim të dialogut për rrugën përpara rreth çështjes së dinarit, i cili u ofroi hapësirë të mjaftueshme palëve për të argumentuar qëndrimet e tyre. Ai përfundoi duke paraqitur një propozim për kompromis në përpjekje për të kapërcyer dallimet. Do të presë takimin e radhës pas marrjes së komenteve konstruktive nga palët”, deklaroi dilomati sllovak.

Lajçaku takoi kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë – Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç – mbi tensionet që u ndezën pas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nëpërmjet së cilës autoritetet kosovare synojnë të ndalojnë përdorimin e dinarit brenda territorit kosovar, i cili kryesisht përdoret nga pjesëtarët e komunitetit serb në pjesën veriore të Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i delegacionit kosovar, tha pas ciklit të ri të dialogut se Serbia pati “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së dinarit, ndërsa shtoi se në vend që palët të gjejë njëfarë mesi të kënaqshëm për zgjidhjen e kësaj çështjeje, destruktiviteti/dekonstruktiviteti i Serbisë zgjeroi hendekun e qëndrimeve.

“Ne kemi shpresuar që ky diskutim konkret do jetë i dobishëm meqë do të na ndihmojë që t’i afrojmë qëndrimet. Fatkeqësisht ne kemi dëgjuar disa deklarata bukur brengosëse nga ana e Serbisë, të cilat kanë bërë që faktikisht qëndrimet në vend që të afrohen të largohen”, nënvizoi ai në një deklaratë për gazetarët pas takimit trelateral që zhvilloi të enjten për dinarin.

Ai njoftoi se pala serbe insistoi që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i këtij mekanizmi nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimimin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë.

“Edhe Lajçaku njësoj si pala kosovare brengën kryesore e pati se si individët të cilët janë prekur nga vendimi i BQK-së apo rregullorja e BQK-së, të mund të vazhdojnë të marrin mbështetjen financiare përderisa Serbia edhe sot gjithë brengën e saj e pati se si duhet të licensohen institucione paralele të Serbisë në Kosovë”, shtoi ndër të tjera Bislimi pas takimit.

Sidoqoftë, sa u përket propozimeve rreth zgjidhjes së problemit, ndonëse një muaj më parë autoritetet kosovare hodhën poshtë propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), duke  nënvizuar se nuk pranojnë propozime që dalin jashtë kornizës rregulluese të BQK-së, propozimin e Lajçakut zëvendëskryeministri kosovar e cilësoi konstruktiv dhe të drejtë.

“Mund të them se propozimi i Lajçakut është një përafrim apo një tendencë për përafrimin e qëndrimeve, i cili shkon në drejtimin e duhur, por kërkon kohë nga të dy palët që t’i analizojnë elementet brenda tij, qoftë implikimet ligjore apo të ngjashme. Le të themi që propozimi i sotëm është më i detajizuar sesa propozimi i javës së kaluar”, nënvizoi mes tjerash ai.

E përderisa deklaratat e kreu të delegacionit të Kosovës sugjerojnë se pala kosovare e pranoi “propozimin konstruktiv” të Lajçakut, delegacioni serb në udhëheqjen e drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, pretendoi se pala serbe tregoi “konstruktivitet” për dinarin, ndërsa akuzoi Kosovën se nuk dëshiron të pajtohet për asgjë.

“Negociatat kanë qenë të vështira dhe të tensionuara, por kanë qenë të drejtpërdrejta, gjë që është mirë. Unë dhe ekspertët patëm rastin të paraqesim propozimet tona për idetë e BE-së dhe për zgjidhjen e çështjes së dinarit, sepse [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, kërcënoi me këtë vendim [ndalimin e përdorimit të dinarit] mbijetesën e popullit serb”.

Petkoviçi akuzoi autoritetet kosovare se synojnë të “dëbojnë” serbët nga Kosova, posaçërisht pas vendimit për ndalimin e dinarit, ndërsa konsideroi se kjo “çështje ekzistenciale” duhet të zgjidhjet në mënyrë urgjente: “Bislimi disa herë deklaroi që nuk i interesojnë serbët që duan ta lëshojnë Kosovën, por i interesojnë vetëm serbët që duan të integrohen në Kosovë”.

Megjithatë, për shkak se palët nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e fundit, terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë më 13 maj, ndërsa mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjes së dinarit dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet apo do të gjendet një zgjidhje në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore