Lajme

Konjufca kundër Taravarit: Çdo votë për kandidaten e VMRO-së është votë antishqiptare


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se kandidatja për Presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, nga radhët e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, ka koncepte antishqiptare, prandaj edhe nuk duhet që të mbështet duhet të mbështetet nga shqiptarët.

Këto komente, Konjufca i ka bërë pak orë pasi që lideri nacionalist i VMRO-së, Hristjan Mickoski, u takua në shtabin qendror të koalicionit “VLEN” – i mbështetur nga kryeministri Albin Kurti, dhe partia e tij – me Arben Taravarin, ku u aludua se kreu i opozitës maqedonase shkoi për të kërkuar mbështetje për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale apo për të siguruar një marrëveshje paraprake për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.

“Sa i kam parë unë personalisht konceptet ato konceptet politike që i ka zhvilluar edhe Gordana Siljanovska-Davkova, ato janë koncepte shumë anti-shqiptare, ka një dyshim për popullatën shqiptare atje”, ka thënë Konjufca për “TetovaSot”.

“Unë jam shumë kundër këtyre koncepteve. Unë do të isha kundër çfarëdo le të themi mbështetje të çfarëdo shqiptari për koncepte të tilla, për arsye se unë i kam dëgjuar ato me vëmendje. Është një koncept antishqiptar që e ka shpjeguar vetë kjo kandidate”, shtoi.

Kreu i kuvendit theksoi se ai personalisht s’do ta preferonte kurrfarë opsioni të tillë, sepse, në gjykimin e tij, “është në dëm të shqiptarëve”.

Ndryshe, siç kanë raportuar mediat në Maqedoni të Veriut, në takimin e të hënës në mes të Taravarit, si përfaqësues i “VLEN”, dhe Mickoski-t të VMRO-së, është arritur një marrëveshje që koalicioni i partive opozitare shqiptare ta mbështesë Siljanovska-Davkova, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, që mbahen më 8 maj, së bashku me ato parlamentare.

Taravari, por as liderët tjerë të “VLEN”-it, janë shprehur të gatshëm që të bashkëpunojnë me partinë nacionaliste maqedonase, dhe atë pa kushtin për ndryshimet kushtetuese – të domosdoshme për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti dhe partia që ai udhëheqë i kanë dhënë mbështetje të hapur koalicionit “VLEN”, duke u rreshtuar kështu kundër “Frontit Evropian”, që ka lider kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

“Jam i gëzuar që do bashkëpunoj me një profesor si Mickoski – kemi program fantastik me VMRO-në”, Arben Taravari intervistë për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore