Shqipëria

‘Dualizmi’ i Mitsotakis – Nga një anë thotë se është mbështetësi kryesor i integrimit të Ballkanit, nga tjetra i vë kushte Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut


Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i Greqisë, mendon se shteti që ai drejton – duke i përkitur edhe rajonit gjeografikisht – është kryesori në lobimin pro integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ku helenët bëjnë pjesë prej dekadash.

Mirëpo nga ana tjetër, qëndrimi i tij nuk ndryshon kur vjen fjala te Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilave i vendos në kandar si kundërpeshë të njëjtin kusht: Respektoni legjislacionin evropian.

I referohet dy rasteve të shkëputura njëra nga tjetra, por që bashkë takohen vetëm në faktin se kanë të bëjnë me Greqinë, për zgjedhje ose rrethanë të kësaj të fundit.

Në rastin shqiptar, çështja vijon të mbetet e njëjta, ajo e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili mbetet në paraburgim, pasi është dënuar në shkallën e parë për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe pret tashmë vendimin përfundimtar nga Apeli.

Për Maqedoninë e Veriut rrethanat janë ndërlikuar me fitoren dërrmuese të VMRO-DPMNE në zgjedhjet e fundit, qofshin presidenciale, apo parlamentare.

Në betimin e saj, presidentja Gordava Silianovska Davkova e përdori termin “Maqedoni”, përkundër detyrimit kushtetues për të përdorur emërtimin “Maqedoni e Veriut”, siç është rënë dakord në Marrëveshjen e Prespës, e cila i hapi rrugë më pas anëtarësimit të Shkupit në NATO e më tej negociatave për integrimin evropian.

Në një podkast britanik, “The Rest is Politics”, Mitsotakis u pyet mbi Greqinë dhe rajonin, pikërisht çështje tejet aktuale dhe pozicionime që duhen vlerësuar për Athinën.

Përgjigja e tij ndahej në dy aspekte, kur u pyet për raportet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe një reflektimi nga intervistuesi se ndoshta dy vendet e vogla e shihnin Greqinë si pengesë drejt BE-së.

“Nuk do të pajtohem me ju për këtë, sepse ne jemi avokatë dhe mbështetës të mëdhenj të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Në fund të fundit, është në interesin tonë më të mirë. Kjo është lagjja jonë e afërt, nga e cila jemi vendi i parë që hymë në Bashkimin Evropian, relativisht i pasur në krahasim me Ballkanin Perëndimor. Anëtar i NATO-s, Eurozonës, Zonës Schengen. Prandaj ne duam dhe jemi pro”, tha në pjesën e parë të përgjigjes Mitsotakis.

Pjesa e dytë nga ana tjetër, ishte e tillë: Ne u përpoqëm të bashkëpunonim me Maqedoninë e Veriut për ta ndihmuar atë në udhëtimin e saj evropian. Por, për t’u afruar me Evropën, duhet të respektohet legjislacioni evropian dhe të bëhet përparim në çështjet që lidhen me sundimin e ligjit.

Edhe pse jo shprehimisht, Greqia në fakt realisht po e bllokon Shqipërinë për integrimin evropian, duke qenë se aktualisht ka një veto aktive për shkak të Belerit, e cila bllokon vijimin e rregullt të procesit negociues.

Me ardhjen në pushtet të VMRO-së, duhet parë edhe si do të ndryshojë retorika e Qeverisë maqedonase ndaj Greqisë, pasi në detyrë është ende kryeministri shqiptar, Talat Xhaferi, i cili po ushtron detyrën në pozitë, si pjesë e marrëveshjes me LSDM-në.

Por kur në Qeveri të vijë forca politike, e cila kauzë të vetën ka rikthimin e identitetit me përdorimin e termit Maqedoni, ndryshe nga marrëveshja e arritur për Maqedoni e Veriut, do të shihet edhe realisht se si Mitsotakis dhe qeveria e tij e fortë e sapofituar në Greqi do të veprojë në rrugën “bllokuese” (ose integruese), të fqinjëve veriore, qoftë Shqipërisë, apo RMV-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore