Kosova

Haradinaj kërkon mbështetje nga aleatët që Kosovës t’i avancohet statusi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s


Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, në prag të seasionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Sofje të Bullgarisë, kërkoi mbështetje nga aleatët që Kosovës t’i avancohet statusi në krahun legjislativ që mbledh rreth vetes delegatë nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s.

“Apeloj tek aleatët tanë që ta mbështesin avancimin e Kosovës në këtë organizatë, që do të ishte një hap i rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë. Qeveritë vijnë e shkojnë por anëtarësimi i Kosovës në NATO është jetik, që të kthehemi në ofrues të sigurisë rajonale dhe globale, përmes angazhimit aktiv, me ushtritë e botës demokratike të udhëhequr nga Amerika”.

Komisioni i Përhershëm i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, institucion që përbëhet prej 281 delegatëve nga 32 vendet anëtare të aleancës, në mars të këtij viti vendosi në favor të avancimit të statusit të Parlamentit të Kosovës në nivelin e anëtarit të asociuar nga statusi i mëparshëm i anëtarit vëzhgues.

Anëtarët e asociuar të Asamblesë Parlamentare të NATO-s mund të marrin pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet, seminaret dhe seancat plenare. Ata mund të paraqesin rezoluta dhe propozime për ndryshime në rezoluta. Por, ata nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e asamblesë e as nuk kontribuojnë në buxhetin e kësaj asambleje.

Asambleja Parlamentare e NATO-s vendos sot nëse do t’ia avancojë statusin Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore