Lajme

Skandali me mikrokreditë çon në revokimin – e vonuar – të dy licencave, nga Banka e Shqipërisë


Pas muajsh të tërë denoncimesh dhe publikimesh të rasteve rreth dëmeve që mikrokreditë kanë shkaktuar në Shqipëri, Banka e Shqipërisë, institucioni më i lartë financiar në vend, ka vendosur të tërheqë licencat e dy subjekteve: “Final” shpk, si edhe “Micro Credi Albania”.

Sipas njoftimit, vendimmarrja e Bankës së Shqipërisë bazohet në dispozitat ligjore dhe rregullative në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka, të cilat parashikojnë, ndër të tjera, rastet e revokimeve të licencave kur subjektet e licencuara nuk vazhdojnë të plotësojnë më kushtet në bazë të të cilave janë licencuar.

“Në rastet e sipërcituara, për ortakët e të dy shoqërive që u është revokuar licenca”, sqaron BSH-ja, “me kërkesën e Prokurorisë është vendosur masa e arrestit nga Gjykata e Shkallës së Parë, Tiranë, dhe jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht”.

Në fakt, u desh të merreshin masa sigurie nga Gjykata fillimisht, pas zbulimit të një skeme mashtrimi me mikrokreditë, që Banka e Shqipërisë të shtyhej në këtë vendim të vonuar, pavarësisht denoncimeve të shumta dhe publikimeve të mëparshme të rasteve.

Mashtrimi me mikrokreditë, Prokuroria jep 9 masa sigurie për administratorët e subjekteve dhe përmbaruesve

Sipas njoftimit zyrtar të lëshuar nga Policia e Shtetit më 23 maj, u sqarua ne personat e arrestuar, përmes disa shoqërive, morën 3 mijë e 999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite, me një shumë totale prej thuajse 7.3 milionë eurosh dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes, ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi, edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje, si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.

Për likuidimin e këtyre kredive të blera nga MCA, dyshohet se është përdorur vjedhja, duke i detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e dispononte si portofol agjencia financiare MCA.

Me marrjen e një kredie të re pranë agjencisë financiare MCA zhbllokohej përkohësisht pasuria dhe llogaritë e kreditorëve, por më vonë agjencia financiare MCA shfaqej me kërkesën për likuidimin e shumave të tjera.

Kjo skemë është përdoruar tek kredimarrës të ndryshëm, të cilët rezultojnë të jenë viktima të vjedhjes së pasurisë së tyre, duke shkaktuar një dëm shumë të lartë ekonomik ndaj këtyre shtetasve apo enteve private dhe publike.

Nga ana tjetër, këto institucione financiare aplikonin një kamatë vonesë prej 2% + 8% për çdo vit dhe sipas aktit të ekspertimit kontabël, vlera totale fillestare e detyrimit principal për të gjithë urdhrat e vendosur me palë kreditore shoqërinë ‘Micro Credit Albania’ Sh.a është në shumën 575 milionë e 842 mijë e 669.60 lekë. Ndërsa totali i kamat vonesës ligjore sipas normës 2% + 8% në vit është në shumën 258 milionë e 687 mijë e 709.07 lekë.

Në termat e tanishëm, Banka e Shqipërisë thotë se po adreson kuadrin ligjor dhe rregullativ lidhur me administrimin në vijimësi të portofolit të klientëve të shoqërive “Final” dhe “Micro Credit Albania” dhe se në vijim do të dalë me një njoftim të dytë për çështjen.

Megjithatë, është e qartë se vendimi është i vonuar dhe pyetja thjesht vjen vetvetiu: Po me kompanitë e tjera të kredive mikrofinanciare, ç’bëhet?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore