Lajme

Davkova ul tonet me Greqinë: E respektojmë Marrëveshjen e Prespës


Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska Davkova, i ka ulur tonet kundrejt Greqisë pas disa replikave në distancë me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis, duke thënë se Shkupi e respekton Marrëveshjen e Prespës.

E gjitha vjen pasi në betimin e saj në pozitën më të lartë të vendit, Davkova nuk e shqiptoi termin Maqedoni e Veriut, por iu referua vendit me emrin e vjetër, Maqedoni.

Megjithatë, në një deklaratë të re, Davkova ka thënë se marrëveshjen gjithsesi e respekton, pasi në dokumentin ku ajo ka hedhur nënshkrimin, shkruhet gjithsesi Maqedoni e Veriut.

“E kam respektuar Marrëveshjen e Prespës dhe e respektoj tani. Unë e firmosa deklaratën me emrin aktual, emër nga Marrëveshja e Prespës”, theksoi Davkova.

Pavarësisht kësaj, ajo i ka qëndruar deklaratave të mëparshme, duke thënë se beson në lirinë e shprehjes së mendimit, lirinë e vetëidentifikimit dhe lirinë e vetëvendosjes, të cilat nuk mund të jenë vetëm kolektive dhe t’u referohen kombeve, por mund të jenë edhe individuale.

“Pra, për mua, liria e mendimit si pjesë e Deklaratës Universale të Lirive dhe të Drejtave, si pjesë e Konventës për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave, si pjesë e Konventës së BE-së për të Drejtat Themelore, i lejon njerëzit të shprehin veten dhe unë nuk shikoj se këtu e kam shkelur Marrëveshjen e Prespës”, përmblodhi ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore