Kosova

“I kishte dhuruar libra në burg Kurtit”, kryeministri ftohet përsëri për të dëshmuar për gardianin serb të akuzuar për krime lufte


Albin Kurti

Këtë të hënë ka nisur gjykimi ndaj Dragisha Milenkoviç-it i akuzuar për krime lufte nga Prokuroria Speciale, derisa gjatës seancës, Dejan Vasiç – avokati i Milenkoviç-it edhe një herë ka kërkuar që ftohet si dëshmitar “mbrojtës” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, meqë ky i fundit kishte qëndruar në paraburgim në burgun e Prishtinës ku kishte punuar si gardian Milenkoviç.

“Sot kemi marrë pëlqimin e prokurorisë, gjykata do të vendos nëse do të dëgjohet Kurti dëshmitar. Kurti do të ishte një nga dëshmitarët e besueshëm. Kryeministri tha se do të vijë në cilësinë që do ta thërras gjykata. Ne nuk e ftuam të flas asgjë tjetër përveç të vërtetës për atë kohë – atë që ndodhi, e cila lidhet me veprimet dhe sjelljen e Dragishës në burgun e Prishtinës”, tha Vasiç, raportin mediumi serb Kossev.

Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, Vasiç kishte theksuar se klienti i kishte dhuruar libra Kurtit, teksa po qëndronte prapa grilave dhe kishin kaluar shumë kohë duke biseduar.

“Albin Kurti ishte paraburgosur në kohën kur i dyshuari Dragisha ishte duke punuar në burgun e qarkut në Prishtinë. Nga ana e tij, ai duhet të thotë dy fjalë për besueshmërinë e të dyshuarit dhe sjelljen e tij ndaj kryeministrit aktual dhe i paraburgosuri i atëhershëm Albin Kurti, të cilit i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli, i ka sjellë libra për të lexuar, me të cilin ai kaloi shumë kohë duke biseduar”, pati theksuar ai.

“Shpresoj që kryeministri disi ta mbajë mend mirë atë periudhë, duke qenë se ato ishin momente dramatike në jetën e tij dhe besoj se Dragisha do t’i kujtohet. Nga ana ime do të përgatis dokumentacion nga ajo kohë që të mos ketë mosmarrëveshje në lidhje me identitetin e të dyshuarit”, thoshte ai.

Dragisha Milenkoviç është arrestuar më 21 qershor të vitit të kaluar. Prokuroria Speciale e akuzon Milenkoviç-in për krime lufte kundër popullatës civile në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 1999.

Ndërkaq për shkak të arrestimit të Dragisha Milenkoviçit, me ditë të tëra pati pasur protesta para stacionit policor në qytetin e Graçanicës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore