Shqipëria

Ekspozimi i fëmijëve online, “faturë e madhe” – Intervistë e Albanian Post me Edmond Liçajn, ekspert IT


Ngado në platformat e mediave sociale qarkullojnë foto dhe video të fëmijëve, të cilat janë publikuar nga prindërit e tyre.

Por nga ana tjetër, pa u miratuar nga vetë fëmijët.

Paçka gjithë shqetësimeve të sigurisë që vitet e fundit janë bërë edhe më të shpeshta, ekspozimi i fëmijëve online vijon.

Albanian Post ka kontaktuar ekspertin e IT-së, Edmond Liçaj, për t’u njohur me rreziqet që u kanosen fëmijëve nga imazhet e publikuara në rrjet.

Përmes një interviste, Liçaj ka ravijëzuar mes të tjerash se ekspozimi i imazheve për të cilat fëmijët janë të pa vetëdijshëm që po publikohen në një rrjet të gjerë, i bën të jenë të ekspozuar ndaj një rreziku afatgjatë në 5 apo 10 vitet e ardhshme.

Kjo, sipas tij, për shkak se këto të dhëna kanë shumë shanse që të mbeten online nëse prindërit për shumë arsye s’do kenë më qasje në këto kanale komunikimi.

E që për fëmijët, ekspozimi është një “faturë e madhe” në një periudhë që nuk kanë dashur ta kenë publike.

Intervista e plotë e Edmond Liçajt për Albanian Post:

Albanian Post: Me lindjen e ‘profesionit’ të ri të influencuesve, nga përmbajtjet që publikohen përditë në mediat sociale, një pjesë e konsiderueshme e tyre përfshijnë imazhin e fëmijëve, qoftë për të tërhequr vëmendjen e audiencës, qoftë për të reklamuar një produkt kundrejt pagesës. Mirëpo, shfaqja duket se ka shumë implikime.

Përpos atyre psiko-sociale, çfarë rrezikon vërtet një fëmijë nga ekspozimi i tepërt në platformat e mediave sociale?

Edmond Liçaj: Rreziku i ekspozimit të fëmijëve online, kryesisht në rrjetet sociale, ka efekte të shumëfishta dhe në forma dhe kohë të ndryshme si: ndikimi i lartë emocional ndaj komenteve dhe reagimeve negative. Çka sjell një dëm të madh psikologjik dhe bullizmin.

Veç të tjerave, ekspozimi i imazhit, objekteve dhe situatave për të cilat fëmijët janë të pa vetëdijshëm që po publikohen në një rrjet të gjerë, i bën të jenë të ekspozuar ndaj një rreziku afatgjatë në 5 apo 10 vitet e ardhshme për shkak se këto të dhëna kanë shumë shanse që të mbeten online nëse prindërit për shumë arsye s’do kenë më qasje në këto kanale komunikimi dhe që për fëmijët ekspozimi është një faturë e madhe në një periudhë që nuk kanë dashur ta kenë publike.

Rrezikun e vërtet që do të kenë fëmijët pasi të kalojnë në moshën e pjekurisë dhe kur ata të kenë zgjedhur profesionin e tyre, do të hasen me informacione të tyre personale nëpër rrjetet sociale apo motorët e kërkimit, ku nëpërmjet inteligjencës artificiale këta motorë kërkimi do të jenë me të avancuar për të gjeneruar më shumë informacione.

Albanian Post: Siç e përmendët edhe ju, sidomos tani që në lojë është futur edhe inteligjenca artificiale, si duhet të ruhen dhe mbrohen fëmijët nga ekspozimi në rrjet?

Edmond Liçaj: Si çdo risi apo shërbim inovativ vjen me të mirat dhe këqijat e veta, e tillë është dhe inteligjenca artificiale.

Është një mundësi e jashtëzakonshme zhvillimi dhe që çdo njeri mundet ta përdorë për t’u zhvilluar apo ndërtuar një profesion më lehtë dhe në mënyrë më dinamike.

Ndërkohë ka dhe anët e veta të panjohura siç është pyetja juaj. Kjo teknologji në këto momente është akoma në evoluim e sipër, gjë që na i bën të paqarta llojet apo format e rrezikut që mund të kenë fëmijët, por me aq sa kanë zbuluar kërkimet dhe me aq sa mund të kuptojmë në këtë periudhë, rreziku më i madh është dezinformimi dhe manipulimi i informacioneve, përdorimi i identiteteve të dyfishta apo të shumimit të tyre për qëllime dashakeqe, rreziku i vërtetësisë së një faqe apo platforme që në pamje të parë të jep siguri e që më pas mund të jetë duke keqpërdorur informacionin tuaj.

Lojërat janë gjithashtu një rrezik i madh ku inteligjenca artificiale po gjen vend në zhvillimin e tyre dhe integrimin e imazheve 3D të një koncepti futuristik dhe komplet abstrakt, çka mund t’i çojë fëmijët në një realitet të dyfishtë gjatë kohës që kalojnë në këto lojëra.

Me siguri qe rreziku është ekzistent edhe në shumë forma të tjera që nuk janë përmendur.

Albanian Post: Gjatë sezonit veror, duket se materialet video e foto nga plazhi shtohen, duke dhënë edhe më shumë material për ‘grabitqarët’ kibernetikë. Çfarë masash sugjeroni?

Edmond Liçaj: Ky është një shqetësim që në fakt bashkë me organizatën që drejtoj kemi ndërmarrë fushata ndërgjegjësimi ndër vite.

E fundit ka qenë gjatë muajit gusht 2023 me titullin “Stop publikimit të fëmijëve online”, që kishte të bënte me ekspozimin e fëmijëve me foto apo video në ambiente plazhi apo pishina, çka rrezikon që fëmijët të jenë të ekspozuar ndaj ngacmuesve seksual online dhe personave të tjerë të rrezikshëm që përfshihen në këto fenomene qe fatkeqësisht në Shqipëri po shtohen vitet e fundit.

Rreziku më i madh është i ngacmimeve seksuale, përndjekjes, bullizimit dhe shumë faktorëve të tjerë që varen nga qëllimi që kanë keqdashësit.

Masat që sugjerohen të merren në këto raste përfshijnë ndërgjegjësimin e prindërve dhe ndalimin e menjëhershëm të publikimit të fëmijëve të tyre nëpër platformat online. Po ashtu informimi ndaj rrezikut të këtyre informacioneve që hedhin, mënyrat si mund të keqpërdoren dhe dëmet që sjellin.

Sa më të informuar të jenë përdoruesit, aq më të ndjeshëm do të jenë ndaj informacioneve që ndajnë me miqtë e tyre.

Albanian Post: Nga ana tjetër, ka edhe raste kur këto platforma lihen në duart e vetë fëmijëve, duke i lënë të pambrojtur përballë mjedisit pa filtër të mbushur me gjuhë urrejtje dhe bullizëm kibernetik. Si e gjykoni këtë përfshirje të tyre pa asnjë kontroll?

Edmond Liçaj: Ne fakt rreziku në këtë rast është më i lartë për faktin se bëhet fjalë për një brez fëmijësh që janë shumë më të informuar dhe të ambientuar me teknologjinë se prindërit e tyre, ndaj bëhet shumë e vështirë që prindi t’i monitorojë apo t’i kontrollojë.

Duhet të bëhet me bashkëpunim mes prindërve dhe fëmijëve çështja e përdorimit të pajisjeve teknologjike siç janë tabletat, PC, laptopët apo celularët.

Nëse arrihet të ketë një marrëveshje mund të themi që po bashkëpunojmë që  rreziku të jetë i menaxhueshëm dhe i evitueshëm në rastet ekstreme.

Nuk kanë rezultuar të suksesshme format e kontrollit apo presioneve duke mos ua lënë pajisjet pasi fëmijët do të gjejnë mënyra të tjera për t’u qasur në internet.

Prandaj, forma më e mirë është bashkëpunimi dhe mirëkuptimi ndaj rrezikut që sjellin pajisjet e teknologjisë si në aspektin e menaxhimit të kohës, energjisë, përqendrimit, formimit, gjendjes emocionale, zhvillimit etj.

Fëmijët sot janë shumë inteligjentë dhe jemi të bindur që nëse arrijmë t’i kemi shok/shoqe, do të arrijmë në një bashkëpunim në këtë aspekt.

Albanian Post: Çfarë u këshilloni prindërve për të menaxhuar sjelljen e fëmijëve të tyre në internet?

Edmond Liçaj: Vetëm bashkëpunimi. Nëpërmjet kësaj metode do të arrijmë të jemi më të informuar rreth jetës online të femijës, do të jemi më të informuar ndaj ngacmimeve që mund t’u vijnë, do të jemi më të ndërgjegjshëm që fëmijët e kanë të vështirë të jenë larg pajisjeve të teknologjisë.

Mund ta menaxhojmë më lehtë kohën e përdorimit të teknologjisë dhe do të jemi më të përkushtuar ndaj fëmijëve.

Ata kërkojnë vëmendje, nëse prindërit nuk ua japin ata e gjejnë atë online. Prandaj bashkëpunimi është i pashmangshëm.

Albanian Post: Sa të pasigurt e konsideroni mjedisin digjital në Shqipëri, sidomos në TikTok?

Edmond Liçaj: Ambienti online nivelin e pasigurisë e ka të lartë në çdo aspekt, jo vetëm në TikTok, por ajo që e diferencon këtë rrjet social është koha e jashtëzakonshme që fëmijët kalojnë aty. Modelet sociale që janë viral në atë rrjet social në vendin tonë nuk janë për t’u ndjekur si model dhe çuditërisht, fëmijët tërhiqen shumë nga ta.

TikTok është një rrjet social që ka pas dhe vazhdon të ketë probleme në raport me sigurinë dhe privatësinë ndryshe nga META apo Facebook që këto probleme i kanë të ezauruara prej kohësh.

Fakti që një fëmijë 10-16 vjeç ka një përdorim mesatar ditor të telefonit 6 orë dhe 4-5 orë prej kësaj kohe i shpenzon në TikTok e bën situatën shumë alarmante, kërkohet që prindërit apo kujdestarët e fëmijëve të jenë vigjilent dhe të informuar ndaj këtyre rreziqeve ndaj të cilave fëmijët e tyre janë të ekspozuar.

Nëse zgjedhim së pari vëmendjen e fëmijëve përpara se atë vëmendje ta fitojnë diku tjetër, mund të themi që kemi bërë punën më të dobishme si prindër apo familjar.

Albanian Post: Si e parashikoni të ndryshojë në afatgjatë, prisni përkeqësim?

Edmond Liçaj: Fatkeqësisht, statistikat dhe trendet tregojnë që çdo ditë e më shumë jemi më të kërcënuar ndaj sigurisë dhe privatësisë së të dhënave, duhet që gjithsecili nga ne të jetë në gjendje alerti pasi zhvillimi i teknologjisë nuk na pret të informohemi, por vazhdon dhe evoluon çdo moment.

Nëse dikur teknologjia pësonte ndryshime drastike çdo 6 muaj apo një vit, sot pëson ndryshime drastike çdo moment.

Nëpërmjet teknologjisë po mendojnë të kryejmë transplant të kokës, zhvillimin e robotëve të punës (gjë që është duke u realizuar në prodhimin e një numri shumë të madh humanoidësh), vetëm kaq na mjafton për të kuptuar sa shpejt po zhvillohet gjithçka.

Albanian Post: Duhen marrë masa paraprake?

Edmond Liçaj: Duhen marrë masa emergjente mendoj.

Sa më shumë të informohemi rreth rreziqeve, zhvillimit të teknologjisë, përditësimeve të sistemeve apo platformave që përdorim, të jemi vazhdimisht dyshues përpara çdo linku apo mesazhi që na vjen, të jemi dyshues ndaj çdo informacioni që lexojmë, mos të ndikohemi nga gjërat që shohim online pasi mundësia që mos të jetë e vërtetë është shumë e madhe.

Nëse përdoruesi do të jetë në një nivel të lartë ndërgjegjësimi, mund të themi që ne si përdorues mund ta përdorim teknologjinë për t’u zhvilluar më tej. Për sa kohë pjesa më e madhe e përdoruesve janë konsumator të mëdhenj të kohës së humbur në internet, do të jemi të kërcënuar ndaj çdo situate kibernetike apo impakti negativ në jetën tonë reale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore