Sport

Mbyll sytë përgjithmonë legjenda e NBA, Bill Walton


Bill Walton, një kampion i dyfishtë në NBA dhe anëtar i Hall of Fame, karriera e shkëlqyer e të cilit u ndikua edhe nga lëndimet e shumta, duke e çuar në një akt të dytë si komentatori shpirtlirë i ndeshjeve, në transmetimet thuajse filozofike që bënte, u nda nga jeta të hënën në moshën 71-vjeçare.

Njoftimi erdhi nga vetë Shoqata Amerikane e Basketbollit, njohur gjerësisht në botë si NBA, ku ka kujtuar elegancën dhe vendosmërinë e një legjende të vërtetë të sportit.

“Bill Walton ishte me të vërtetë unik në llojin e tij”, tha komisioneri i NBA, Adam Silver, në një deklaratë. “Si lojtar i Hall of Fame, ai ripërcaktoi pozicionin e qendrës. Aftësitë e tij unike gjithëpërfshirëse e bënë atë një forcë dominuese në UCLA dhe çuan në një MVP të sezonit të rregullt dhe të finaleve të NBA, dy kampionate NBA dhe një vend në ekipet e 50-vjetorit dhe më tej 75-vjetorit të shoqatës”.

“Bill më pas e përktheu entuziazmin dhe dashurinë e tij infektive për lojën në transmetim, ku ai dha komente të hollësishme dhe plot ngjyra që argëtuan breza të adhuruesve të basketbollit”, vijoi deklaratën përkujtimore Silver.

Teksa në fund, tha se ajo çfarë do të kujtojë më shumë për të, ishte dëshira për jetën.

“Ai ishte një prani e rregullt në ngjarjet e ligës – gjithmonë optimist, duke buzëqeshur vesh më vesh dhe duke kërkuar të ndajë mençurinë dhe ngrohtësinë e tij. E kam çmuar miqësinë tonë të ngushtë, e kam zili energjinë e tij të pakufishme dhe e admirova kohën që kalonte me çdo person që takonte”, përfundoi komisioneri i NBA.

Walton, gjithë çfarë dinte e çfarë kishte në vizion për basketbollin ia la si trashëgimi djalit të tij, Luke, i cili po ashtu arriti të fitojë finalet e NBA dy herë si lojtar dhe një herë si ndihmës trajner.

Në të dhëna gjithsesi, Luke nuk e arriti asnjëherë nivelin e të atit, i cili solli një revolucion në rolin e qendrës moderne në sport, së bashku me të tjerë të sojit në fund të viteve 70’ dhe fillim të viteve 80’, si Kareem Abdul-Jabbar, Moses Malone, Hakeem Olajuwon, apo Robert Parish – një brez i tërë i artë, të cilët kujtohen ende si ndër lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave në NBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore