Shqipëria

Meta thotë se Rama dhe Veliaj janë përfshirë në fushatë në Maqedoninë e Veriut, jo Kurti


Sipas kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, janë përfshirë të dy në fushatë zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe kjo nuk është diçka e mirë.

Gjatë një interviste televizive, Meta e ka ngritur këtë pretendim, teksa nga ana tjetër ka thënë se “nuk ka informacion që kryeministri kosovar, Albin Kurti, të jetë përfshirë në zgjedhjet maqedonase”.

Kjo, pavarësisht se kreu i Qeverisë së Kosovës haptazi ka mbështetur një front opozitar ndaj atij Evropian të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe ka zhvilluar edhe takime elektorale me ta.

“Nuk kam informacion që Kryeministri, Albin Kurti është përfshirë në zgjedhjet në Maqedoninë Veriore, Erion Veliaj e Edi Rama janë duke u përfshirë në këtë fushatë dhe nuk është mirë”, ka thënë Meta.

Ky i fundit, së bashku me ish-kryeministrin Sali Berisha, në fakt jo pak herë e kanë treguar haptazi mbështetjen që kanë për Kurtin një Kosovë, ndryshe nga kryeministri Rama, i cili me homologun e tij kosovar ka pasur përplasje të herë pas hershme.

Më tej, Meta shtoi se nuk është mirë që politikanët shqiptarë të përfshihen në garën midis shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.

“Besojmë që në Maqedoninë e Veriut një ndryshim i fortë po vjen dhe kjo është për të mirën e rajonit tonë”, vijoi më tej.

Ai foli edhe sa i takon raporteve Kosovë-Shqipëri, duke akuzuar kryeministrin Rama për prishje të marrëdhënieve.

Kreun e Qeverisë shqiptare madje, e akuzoi se e përdor Kosovën veç si një “aneks për shit-blerje”, duke iu referuar idesë për korrigjimin e kufijve.

“Nuk besoj që ka ndonjë fëmije në trojet shqiptare e më mbarë globin që nuk di se faktori kryesor I këtyre marrëdhënieve tërësisht të sforcuara dhe aspak të dobishme mes Kosovës e Shqipërisë, është ai, Edi Rama, është ai që ka pasur konflikte me të gjithë drejtuesit e Kosovës dhe jo vetëm me Albin Kurtin”, përmendi Meta.

Kryetari i Partisë së Lirisë, foli edhe për situatë politike në Shqipëri, duke u shprehur që opozita do e marrë pushtetin.

“Opozita do e marrë pushtetin në Shqipëri, kjo është e pa diskutueshme  dhe çdo përpjekje që behet tani për i mbijetuar tashmë një uragani mbarë popullor që ka nisur, pas zbulimeve skandaloze të kompanive të kompanisë ‘5D’ të Bashkisë së Tiranës, dhe skandaleve që po thellohen të  inceneratorëve të Tiranës që nuk ekziston dhe shumë arsyeje të tjera. Opozita është në rrugën e sigurt drejt marrjes së  pushtetit”, përmbylli.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore