Kosova

Nënsekretarja amerikane: Me Osmanin diskutuam për udhëtimin euroatlantik të Kosovës përmes Asociacionit


Elizabeth Allen

Nënsekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Diplomacinë Publike, Elizabeth Allen, pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se me këtë të fundit ka biseduar për shumë çështje, ndër to edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne e mbështesim rrugëtimin e Kosovës drejt institucioneve euroatlantike përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë. Diskutuam edhe për hapat kryesorë për udhëtimin euroatlantik të Kosovës përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, tha Allen në konferencë për media.

Ndërkaq sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes së mirëkuptimit mes dy shteteve kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja, Allen ka theksuar se qeveritë autoritare manipulojnë informacionin dhe përhapin dezinformata për të ndikuar tek njerëzit në mbarë botën për të ulur besimin në institucione, veçanërisht në ato demokratike.

“Siguria dhe stabiliteti në Evropën Jugore dhe Qendrore, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor janë prioritetet kryesore që kam theksuar në çdo pjesë të udhëtimit tim në rajon”, potencoi Allen.

“Korniza jonë e qeverisë amerikane fokusohet në luftën kundër  manipulimit të informacionit, dhe ky memorandum i marrëveshjes sot këtu midis SHBA-së dhe Kosovës përfshinë disa pika. Ai detajon ndërtimin e kapaciteteve të komunikimit strategjik përmes diplomacisë digjitale evropiane, shkëmbimit dhe aktiviteteve të tjera”, shtoi ajo.

Osmani: Rusia përmes satelitit të saj Serbisë paraqet rrezik aktiv për de-stabilizim të rajonit

Ndërkaq Osmani ka thënë se Allen-it ia ka shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e pa rezervë për Kosovën, derisa është shprehur e lumtur që dy shtetet kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja.

“Jam e lumtur që në emër të Kosovës nënshkruam një marrëveshje me nënsekretaren në mënyrë që të bashkojmë forcat kundër manipulimit të informacionit nga shtetet e huaja. Fushatat dezinformuese paraqesin një kërcenim të madh për stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, por edhe për Ballkanin Perëndimor në tërësi”, potencoi Osmani.

“Këto fushata synojnë të sjellin frikë dhe duan ta cenojmë demokracinë dhe vlerat demokratike që qëndrojnë në shtetet tona. As Kosova nuk është kursyer nga këto sulme të cilat sa vijnë e intensifikohen si rezultat i ndikimit të Rusisë në rajon nëpërmjet satelitit të saj Serbisë, kjo paraqet rrezik aktiv për de-stabilizim të rajonit”.

Ndryshe, pos Osmanit, në Prishtinë, Allen do ta takojë edhe kryeministrin Albin Kurti. Kjo vizitë e saj në Kosovë është në kuadër të një turi ballkanik që Allen është duke e bërë këto ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore