Shqipëria

Aksioni i Frontex në Ballkan jep efekt, bien drastikisht kalimet e jashtëligjshme


Numri i kalimeve të parregullta kufitare në Bashkimin Evropian në tre muajt e parë të vitit 2024 ra me 12% për shkak të një rënie të ndjeshme të mbërritjeve përmes Mesdheut Qendror.

Kjo sipas llogaritjes së Frontex – agjencia evropiane për ruajtjen e kufijve.

Gjatë periudhës janar-mars, autoritetet raportuan rreth 5 mijë e 500 zbulime të kalimeve të parregullta kufitare në rrugën e Ballkanit Perëndimor, 64% më pak se një vit më parë.

Nga ana tjetër rruga e Mesdheut Qendror, e cila pa numrin më të madh të kalimeve të parregullta në të gjitha rrugët migratore në BE në vitin 2023, vazhdoi të tregojë një prirje rënëse nga muajt e fundit, me rreth 6 mijë e 700 zbulime në mars.

Kjo e çoi totalin për tremujorin e parë në afro 11 mijë e 400 dhe është 59% më e ulët se shifra për të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Po ashtu, Mesdheu Qendror ishte e vetmja rrugë kryesore detare që pa një rënie të zbulimeve të kalimeve të parregullta (-59%), ndërsa rrugët e Afrikës Perëndimore dhe Mesdheut Lindor pësuan rritje të mëdha (përkatësisht +510% dhe +109%).

Mesdheu Lindor e kaloi rrugën e Afrikës Perëndimore si rruga më aktive në BE për migrantët e parregullt në tremujorin e parë, me numrin e zbulimeve më shumë se dyfishuar.

Ndërkohë, rruga e Afrikës Perëndimore vazhdoi të shënonte shifra rekord, me mbërritjet midis janarit dhe marsit që arritën në mbi 13 mijë e 500.

Ky ishte totali më i lartë për tre muajt e parë të vitit që kur Frontex filloi mbledhjen e të dhënave në 2011.

Në muajt e fundit, grupet kriminale të përfshira në kontrabandën e njerëzve në Mauritani, shfrytëzuan mundësitë e paraqitura nga kërkesa në rritje nga emigrantët që kalojnë tranzit në vendin e tyre, duke kërkuar të hyjnë në Bashkimin Evropian nëpërmjet Ishujve Kanarie.

Frontex thotë se mbetet i përkushtuar për të mbrojtur kufijtë e BE-së, me afro 2 mijë e 700 oficerë dhe staf të angazhuar në operacione të ndryshme.

Pikat kryesore për dy muajt e parë të 2024 përfshijnë: Kalimet detare mbeten jashtëzakonisht të rrezikshme për njerëzit që ndërmarrin migrim të parregullt.

Të dhënat nga Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) tregojnë se 476 persona janë raportuar të zhdukur në Mesdhe deri më tani këtë vit.

Shumica dërrmuese e tyre po lundronin në rrugën e rrezikshme të Mesdheut Qendror.

Zgjerimi i bashkëpunimit mes Frontex-it dhe Shqipërisë, thelbësor për ‘rrugën ballkanike të emigrimit të jashtëligjshëm’

Shqipëria dhe Serbia, ndër vendet e rajonit, mbajnë edhe peshën kryesore të kalimeve të jashtëligjshme.

Po ashtu, dy vendet kanë qenë edhe të parat, të cilat kanë firmosur marrëveshje me Frontex, më 1 maj 2021, për bashkëpunim.

Mirëpo këto marrëveshje, përtej rezultateve, duheshin thelluar dhe kjo gjë, u arrit vetëm më 18 nëntor.

Kështu bëri me dije ministri i Brendshëm i Republikës Çeke (mbajtëse e presidencës së BE-së), Vit Rakusan, duke theksuar se pjesë e autorizimit do të jenë edhe Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

Kjo, për t’u përballur me sfidat e fundit të migracionit në Ballkanit Perëndimor dhe rrugët ballkanike të kalimit të emigrantëve të jashtëligjshëm.

Në kushte të tilla, si zgjerohet më tej marrëveshje dhe çfarë arrin ajo?

Pikë së pari, shtimin e asistencës në kontrollin direkt të fluksit migrator, apo kryerjen e operacioneve të mëdha kundër kalimit të jashtëligjshëm kufitar në kuadër të mbrojtjes së territorit.

Falë ujdisë së re, stafi i Frontex do të ketë mundësi edhe të ushtrojë funksione ekzekutive, si për shembull të zhvillojë kontrolle në pikat kufitare apo të kryejë identifikimin biometrik të personave, të cilët kalojnë pikat kufitare të këtyre vendeve.

Ky aspekt i fundit, është edhe më i rëndësishëm, pasi lejon stafin e agjencisë të ushtrojë kontrolle më të imta dhe të depërtojë edhe më thellësisht në rrugën ballkanike që emigrantët zgjedhin.

Por, mbi të gjitha, e gjithë çështja shkon në benefit të vendeve të BE-së, të cilat janë përballur përtej fluksit të emigrantëve, për shkak të luftës në Ukrainë, edhe me shtim të kalimeve të jashtëligjshme nga emigrantët e rrugëve ballkanike.

Thënë kjo, zgjerimi i bashkëpunimit me gjithë rajonin, por veçanërisht me Shqipërinë dhe Serbinë, mund t’i japë jetë një fronti të ri bashkëpunues, i cili mund të frenojë edhe më tej fluksin e emigrantëve drejt BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore