Shqipëria

Këlliçi çon Veliajn në SPAK, për lidhje me Ndrangheta-n


Eksponenti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka paditur kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, pasi pretendon se ky i fundit ka lidhje me mafien italiane Ndrangheta.

Në një dosje voluminoze prej 174 faqesh, padia e Këlliçit paraqet atë që pretendohet të jetë një lidhje e mundshme e Veliajt, me organizatën famëkeqe Ndrangheta dhe landfillin, përmes Eco Tirana.

Lajmin e ka bërë me dije vetë Këlliçi, në një kohë kur Veliaj dhe SPAK kanë qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit, por për një tjetër dosje.

Bëhet fjalë për atë të Inceneratorit të Tiranës, ku Veliaj është thirrur për të dëshmuar si person në dijeni lidhur me aferën, për të cilën disa zyrtare të Bashkisë Tiranë gjenden në hetim, të burgosur ose nën masën detyrim paraqitje.

Vetë Veliaj, ka pretenduar sërish më 6 maj se thirrja e tij në Prokurorinë e Posaçme SPAK nuk ka ardhur si kërkesë e institucionit të drejtësisë, por si kërkesë e tija personale.

Në një deklaratë për media, Veliaj foli rreth dëshmisë që ka dhënë në SPAK sa i takon inceneratorit të Tiranës dhe ka komentuar debatin e madh publik rreth thirrjes së tij si dëshmitar.

Kjo, në një kohë kur kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, e ka bërë të qartë se Veliaj është thirrur nga SPAK për të dëshmuar dhe nuk ka kërkuar vetë diçka të tillë.

Por, kryebashkiaku, këmbëngul:  E kam kërkuar prej kohësh bashkëpunimin zyrtar me SPAK-un për një palë që s’ka asnjë kompleks dhe ka shprehur gatishmëri.

“Deri tani ka qenë tabu që autoritet të bashkëpunonin dhe janë parë si armiqësore. Është normale që autoritet të kenë nevojë të sqarohen”, vijoi më tej Veliaj.

Ai ka shtuar po ashtu se ajo çfarë duhet të bëjë përshtypje është jo një njeri që respekton ligjin, por ata që refuzojnë dhe sulmojnë organet e drejtësisë.

Shpjegoi gjithashtu pse iu referuar prokurorëve si kolegë, një akt ky tejet i kritikuar gjerësisht i kreut të Bashkisë Tiranë.

“Unë i quaj kolegë dhe ju të medias, pra njerëz që janë angazhuar në një vokacion publik sepse ka një mision të përbashkët. Kush i sheh si armiq nuk duan që disa institucione të funksionojnë”, theksoi.

Në fund, përmbylli duke thënë se një njeri duhet të jetë konsistent, s’mund të them një herë “rroftë SPAK-u” dhe më pas të degjeneroj këtë institucion. Normalja e re duhet të jetë e njerëzve që bashkëpunojnë.

Si u përgënjeshtrua deklarata e parë e Veliajt?

Edhe pse kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka theksuar se ai e ka kërkuar vetë paraqitjen në SPAK për të dorëzuar prova të reja, kreu i SPAK nuk deklaron një gjë të tillë.

Altin Dumani në një përgjigje dhënë për “BIRN” ka theksuar se Veliajt i është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar.

E kjo jo në cilësinë e kolegut dhe bashkëpunëtorit – ashtu siç deklaroi qytetari i parë i Tiranës – por për t’u pyetur në cilësinë e deklaruesit si person që ka dijeni mbi rrethanat e çështjes së inceneratorit të Tiranës.

Veliaj u pyet për gati shtatë orë për aferën e inceneratorit të Tiranës.

Ai në fjalën e tij para mediave tha se ishte në SPAK si bashkëpunëtor dhe se së bashku me prokurorët e çështjes e kanë ezauruar çështjen.

“Patëm një ezaurim total të çështjes së inceneratorëve, të gjithë shpjegimet e nevojshme. U thanë dhe disa detaje të tjera”.

Kryebashkiaku tha se ndihet i lehtësuar që u pranua thirrja e tij për tu paraqitur në SPAK dhe se ka bërë me dije se kishte sjellë prova.

Ai nuk i bëri publike këto prova duke theksuar se janë pjesë e sekretit hetimor.

“Ndihem mirë që sot unë dhe ata që më duan ndihen të lehtësuar. Besoj se armiqtë e mi ndihen më të lehtësuar. Se unë besoj që një njeri duhet vlerësuar dhe nga armiqtë që bën. Çdo koment tjetër do tua jap pasi të mbaroj mbledhjen e këshillit bashkiak”.

Ndërkaq Veliaj vlerësoi SPAK duke e cilësuar si një institucion serioz.

Sakaq vetë kryebashkiaku njoftoi të shtunën se do të dorëzojë në SPAK dosjet me informacionet për të gjitha çështjet.

Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës është treguar gjithmonë bashkëpunuese me SPAK-un, qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës së tyre të përditshme, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm për hetimet.

Kujtojmë se dy muaj më parë Partia zyrtare Demokratike ka kallëzuar në SPAK kryeministrin shqiptar, Edi Rama dhe kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, sa i takon çështjes së inceneratorëve, duke përmendur shtatë vepra penale për të dy politikanët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore