Shqipëria

SPAK goditi 7 grupe kriminale, GJKKO konfirmon masat arrest në burg për 9 të arrestuar


Gjykata e Posaçme ka konfirmuar masat e sigurisë arrest me burg për 9 të arrestuar nga operacioni i SPAK për goditjen e 7 grupeve kriminale.

Konkretisht janë lënë në qeli, Naim Stafuka, Robert Laçi, Viktor Imeraj, Satilno Basho, Deivis Bajramaj, Drianto Bardhi, Miri Bruli dhe Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduart Ndreca, si edhe një tjetër.

Avokatët kërkuan në seancë që arrestimi të mos konsiderohet i ligjshëm, duke pretenduar se nuk faktohet se i kujt është numri që shërben për përdorimin e SkyECC. Në komunikimet e zbardhura, kanë dalë bisedat mes të arrestuarve që u përkasin grupeve kriminale. Vetëm këto përgjime janë 20 fashikuj, ndërsa vendimi i gjykatës është me 243 faqe.

Nga 50 urdhër arreste në total, 14 prej tyre janë ekzekutuar në vendin tonë, ndërsa 6 të tjera jashtë shtetit, konkretisht 2 në Itali, 1 në Gjermani, 1 në Spanjë dhe 2 në Belgjikë. 30 të tjerë janë ende në kërkim, mes tyre edhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka.

Gjatë kontrolleve në vilat e bosëve të krimit janë gjetur rreth 3 mln euro cash si dhe flori e pasuri të tjera, në total 4.5 mln euro.

Prokuroria e Posaçme ka goditur grupin kriminal të Ervis Martinajt, i cili në aleancë me grupin e drejtuar nga ish deputeti i PS-së, Arben Ndoka dhe bashkëpunëtor me grupin kriminal të Avdylajt në Durrës rekrutonin vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Gjithashtu kontaktuan Emiljano Shullazhin për realizimin e vrasjes se Durim Bamit.

Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit.

Kështu shkruan Prokuroria e Posaçme (SPAK) në njoftimin e saj sa i takon një aksioni të fundit – i cilësuar si më goditësi ndaj bandave në vitet e fundit.

Vrasës me pagesë, anëtarë të bandave, ish-figura politike, efektivë dhe ish-efektivë të lartë policie. Të gjithë të shënjestruar nga operacioni i gjerë i SPAK, i kryer në bashkëpunim me Europol dhe Eurojust dhe me autoritetet ligjzbatuese të Holandës, Belgjikës, Francës, Gjermanisë, Italisë, Spanjës e Greqisë.

Shtatë grupet e goditura – sipas SPAK – ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre.

Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore.

Të gjithë bandat u çmontuan pas informacioneve të siguruara nga aplikacionet Sky ECC dhe EncroChat, të cilët dikur u ofronin organizatave kriminale komunikim të sigurtë dhe mbrojtur.

Në operacionin e drejtuar nga SPAK – zgjati për rreth 20 orë – u angazhuan afërsisht 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol i cili caktoi një oficer pranë SPAK për të mbështetur këtë operacion.

U kryen veprime hetimore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Kurbinit, Fushë-Krujës dhe Krujës. Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi.

Gjithashtu u sekuestruan pasuri me vlerë rreth 4.5 milionë euro, përfshirë gati 1 milionë euro në para cash, orë me vlerë rreth gjysmë milion euro apo gjysmë milion euro të tjera automjete.

Nga njoftimi i SPAK kuptohet se konfliktet kanë lindur në lidhje me kontrollin e territorit në kultivimin dhe trafikun e drogës dhe industrinë e bixhozit.

Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka.

Grupet kriminale të drejtuar prej Martinajt dhe Ndokës, dyshohet se kanë rekrutuar vrasës me pagesë në Fushë-Krujë dhe Burrel.

Një prej shënjestrave të tyre është Durim Bami, një tjetër eksponent i rëndësishëm i botës së krimit.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, Bami dhe grupi i dyshuar kriminal i Fushë-Krujës krijuan një aleancë me një grup tjetër kriminal të njohur si vëllezërit Duka nga Shijaku.

Synimi ishte vrasja e kundërshtarëve.

Nga ana tjetër kundërshtarët e Bamit u bashkuan me  Emiljano Shullazin (i burgosur tashmë).

Ai bashkoi forcat me Martinajn, Ndokën dhe një pjesë të Avdylajve për të tentuar vrasjen e Durim Bamit.

Më tej, hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi Edison Reçi.

Ai me qëllim hakmarrjen ka organizuar vrasjen e shtetasit Preng Gjini.

Reçi ndihmohej nga Klodian Shahini, me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, i cili i jepte informacione në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit Preng Gjini.

SPAK zbardh aleancat mes bandave: Nga Martinaj te klani Duka, dhuna e egër karakteristikë e tyre

Lajmi në përditësim

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore