Lajme

“Me retorikë ka nisur Holokausti e Srebrenica, prandaj kemi përkrahje për ta neutralizuar nacionalizmin toksik të VMRO-së”, intervistë e Albanian Post me Bujar Osmanin


Bujar Osmani, ish-kandidat i “Frontit Evropian”, për President të Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet e 24 prillit, duke folur për retorikën nacionaliste të partisë maqedonase VMRO-DPMNE, dhe liderit të saj, Hristjan Mickoski, por edhe të kandidates për presidente nga radhët e kësaj partie, Gordana Siljanovska-Davkova, ka thënë se me diskurs ka filluar edhe Holokausti e Srebrenica, por ka shtuar se përkrahja që po i jepet “Frontit Europian”, është për ta neutralizuar këtë fjalor antishqiptar.

Këto komente, Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, i ka bërë në një intervistë për Albanian Post, pasi që është pyetur për diskursin nacionalist të Mickoski-t, por edhe për propozimin e Siljanovska-Davkova, për krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së – në mes të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me komandant suprem Ali Ahmetin dhe forcave ushtarako-policore maqedonase – gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale (raundi i dytë), që do të mbahen më 8 maj.

“Retorika nacionaliste për fat të keq ka tejkaluar vijat e kuqe të alarmit edhe për një fushatë zgjedhore. Të gjithë tragjeditë identitare kanë nis me retorikë. Edhe holokausti ka nis me retorikë antihebreje, edhe Gaza me retorikë antipalestineze edhe Srebrenica me retorikë anti-boshnjake. Andaj janë mobilizuar të gjithë njerëzit e arsyes së shëndoshë në mbështetje të Frontit Europian si neutralizues i vetëm i këtij nacionalizmi toksik”, tha Osmani për AP.

Ai ka vlerësuar se normalizimi i retorikës nacionaliste përjashtuese në diskursin publik “është shumë e rrezikshme në shtetet multietnike si Maqedonia e Veriut”.

Duke folur për gatishmërinë e koalicionit të disa partive shqiptare, pra “VLEN”-it, për t’u bërë pjesë e qeverisë së Mickoski-t pa kushte, Osmani ka theksuar se të njëjtit vetëm mund të bëhen pjesë e koalicionit të madh që ka krijuar Mickoski, por pastaj “ata duhet që të bëjnë qeveri me përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve”.

Nga ana tjetër, ai ka bërë të qartë se “Fronti Evropian”, nuk do të bëhet assesi pjesë e qeverisë në qoftë se partia fituese maqedonase nuk pranon t’i bëjë ndryshimet kushtetuese – të domosdoshme për anëtarësimin e këtij vendi në Bashkimin Evropian.

Intervista e plotë e Albanian Post me Bujar Osmanin: 

Albanian Post: Jemi pak ditë para zgjedhjeve, bazuar në sondazhet, cili do të jetë rezultati i 8 majit, a prisni të merrni më shumë vota se në zgjedhjet presidenciale?

Bujar Osmani: Së pari, do të doja të falënderoj më shumë se 120 mijë qytetarë që më dhanë mbështetjen më 24 prill.. 120 mijë mendje të vendosura dhe zemra të pasionuara dhanë njëzëri mesazhin se nuk lejojnë zmbrapsje, asnjë hap, nga barazia e plotë, por edhe thanë jo lojërave politike dhe manipulimeve të z. Taravari në funksion të fuqizimit të VMRO-DPMNE-s dhe miratuan konceptin e një presidenti evropian.

Por, 24 prilli ishte më shumë një referendum midis Frontit Evropian dhe VLEN në kampin shqiptar. Qytetarët zgjodhën Frontin Evropian si përfaqësuesin e tyre. Tani, beteja brenda kampit shqiptar ka përfunduar. Populli foli. Tash, në raundin e dytë, beteja është midis fituesit në kampin tonë dhe fituesit në kampin maqedonas, VMRO-së.

Dhe, duke marrë parasysh retorikën përjashtuese nacionaliste të tyre dhe përpjekjet për të shkelur vlerat themelore të demokracisë, verdiktin e popullit, duke promovuar të ashtuquajturin konceptin e “shqiptarëve të preferuar”, diçka që kemi parë në Kosovë gjatë viteve 90, ka irrituar shqiptarët dhe tani të gjithë janë të mobilizuar, duke përfshirë ata që kanë votuar për kundërshtarët tanë, për të mbështetur Frontin Europian me synim neutralizimin e nacionalizmit përjashtues, që synon të kërcënojë vlerat themelore të barazisë dhe dinjitetit. Prandaj, pritet një fitore e thellë më 8 maj.

Albanian Post: Opozita VLEN s’po përmend më kushte për VMRO-DPMNE, ju keni përmendur kushte, a do te thotë që ata do jenë në qeveri e ju jo?

Bujar Osmani: VMRO-DPMNE është parti që në koalicionin e vet ka rreth 20 parti të vogla dhe ata kanë dal në zgjedhje bashkë nën sloganin, “Maqedonia përsëri e jotja” (që do të thotë përsëri e maqedonasve). Dhe nuk ka asnjë problem nëse VLEN do jetë grupi i 21 në këtë koalicion, por pastaj ata do duhet të bëjnë Qeveri me përfaqësuesin legjitim të popullit shqiptarë dhe popujve tjerë në vend.

Pas Marrëveshjes së Ohrit formimi i Qeverisë kërkon dy kushte: Shumicën absolute prej 61 deputet dhe shumicën e dyfishtë të a.q të Badinterit. Kjo i bie që pa fituesin te komuniteti shqiptar nuk mund të ketë Qeveri.

Dhe natyrisht, pa marrëveshje për ndryshimet kushtetuese nuk mund të ketë Qeveri.

Albanian Post: Kandidatja për presidente nga radhët e VMRO-së ka propozuar krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-ës. Cila është kundërpërgjigja e juaj për këtë?

Bujar Osmani: Retorika nacionaliste për fat të keq ka tejkaluar vijat e kuqe të alarmit edhe për një fushatë zgjedhore. Të gjithë tragjeditë identitare kanë nis me retorikë. Edhe holokausti ka nis me retorikë antihebreje, edhe Gaza me retorikë antipalestineze edhe Srebrenica me retorikë anti boshnjake. Andaj janë mobilizuar të gjithë njerëzit e arsyes së shëndoshë në mbështetje të Frontit Europian si neutralizues i vetëm i këtij nacionalizmi toksik.

Albanian Post: A po luan me kartën nacionaliste VMRO-DPMNE-ja për të rritur votën e tyre para zgjedhjeve të 8 majit?

Bujar Osmani: Normalizimi i retorikës nacionaliste përjashtuese në diskursin publik është shumë e rrezikshme në shtetet multietnike si Maqedonia e Veriut.

Albanian Post: Çka duhet të bëjë VMRO, në mënyrë që “Fronti Evropian” të jetë pjesë e qeverisë me ta?

Bujar Osmani: Mendoj që, së pari duhet të presim rezultatet e zgjedhjeve e pastaj të flasim për koalicionime dhe me kë, varësisht si do shprehet sovrani. Vullneti i popullit nuk mund të diskutohet.

Albanian Post: Si e keni kuptuar ju tërheqjen e Albin Kurtit pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale, a e ka kuptuar që nuk është në rregull për të ndërhyrë apo e zmbrapsi fitorja e juaj?

Bujar Osmani: Nuk e kam ndjekur shumë atë pjesë, sepse kam qenë i angazhuar në promovimin e konceptit tonë të barazisë dhe të ardhmes evropiane. Sidoqoftë, kam thënë disa herë dhe po e përsërisë, se shtetet e vogla duhet të krijojnë sa më shumë miq në përpjekjet për fuqizimin e rolit të tyre në skenën ndërkombëtare. Veçanërisht, Kosovës i duhen miq, tani, në përpjekjet e saj për rrumbullakimin e shtetëformësisë.  Kosova ka pasur dhe do të ketë mbështetjen paekuivoke të Maqedonisë së Veriut.

Albanian Post: Për fund, ju keni ndihmuar Kosovën – ndër të tjera – edhe në sigurimin e votave për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ndërsa kryeministri Kurti, e posaçërisht eksponentë të partisë së tij bën fushatë kundër jush në zgjedhjet presidenciale. Cili është komenti, apo cila ishte ndjenja juaj për këto veprime të Kurtit dhe të partisë së tij?

Bujar Osmani: Kontributi im ka qenë dhe do vazhdojë të jetë për Kosovën dhe popullin e Kosovës, të cilët kanë qenë në vazhdimësi mirënjohës dhe mirëkuptues për vëllezërit e tyre në Maqedoni të Veriut dhe  në vazhdimësi kanë frymëzuar bashkimin dhe bashkëpunimin këtu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore