Shqipëria

Zgjerimi i bashkëpunimit mes Frontex-it dhe Shqipërisë, thelbësor për ‘rrugën ballkanike të emigrimit të jashtëligjshëm’


Kur në korrik të vitit 2022 shifrat u publikuan, se kalimet e jashtëligjshme nga rruga e Ballkanit Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Evropian, shumëkush filloi të ngrinte alarmin se duhej vepruar.

Asokohe, në krahasim me vitin paraardhës, rastet e emigrantëve të jashtëligjshëm, të cilët kishin zgjedhur rrugën ballkanike, ishin trefishuar, duke e bërë edhe më të rrahurën për personat që vinin ilegalisht nga Azia.

E njëjta gjë u vërtetua edhe gjatë gushtit, kur shifrat e publikuara nga Agjencia Evropiane për Mbrojtjen e Kufijve dhe Bregdetit, Frontex, nxirrnin në pah faktin se si kjo rrugë ballkanike, ishte kthyer në më të frekuentuarën gjatë gjashtëmujorit të parë 2022, nga emigrantët e jashtëligjshëm.

Shifra e tyre, kishte kapur 70 mijë e 770 persona, duke shënuar edhe rritjen më të madhe, me 205%. Kjo, në një kohë kur rruga përmes Evropës lindore apo asaj Mesdhetare, pësonin rënie me rreth 30% përkatësisht.

Pavarësisht këtij fakti, në muajin gusht, shtetet anëtare të BE-së dhe Frontex thanë se puna e bërë nga Shqipëria dhe partnerët e tjerë, ishte e kënaqshme.

Në fakt, Shqipëria dhe Serbia, ndër vendet e rajonit, mbajnë edhe peshën kryesore të kalimeve të jashtëligjshme.

Po ashtu, dy vendet kanë qenë edhe të parat, të cilat kanë firmosur marrëveshje me Frontex, më 1 maj 2021, për bashkëpunim.

Mirëpo këto marrëveshje, përtej rezultateve, duheshin thelluar dhe kjo gjë, u arrit vetëm më 18 nëntor.

Kështu bëri me dije ministri i Brendshëm i Republikës Çeke (mbajtëse e presidencës së BE-së), Vit Rakusan, duke theksuar se pjesë e autorizimit do të jenë edhe Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

Kjo, për t’u përballur me sfidat e fundit të migracionit në Ballkanit Perëndimor dhe rrugët ballkanike të kalimit të emigrantëve të jashtëligjshëm.

Në një kohë të tillë, edhe raportet e Komisionit Evropian lidhur me çështjen, kanë qenë të tilla, ku në shifra, gjatë 2022-shit, ka pasur 86 mijë e 581 kalime.

Shumica e tyre, përmes itinerarit Shqipëri-Mal i Zi-Serbi, por me shtete kryesore të shkelura, Shqipërinë dhe Serbinë.

Në kushte të tilla, si zgjerohet më tej marrëveshje dhe çfarë arrin ajo?

Pikë së pari, shtimin e asistencës në kontrollin direkt të fluksit migrator, apo kryerjen e operacioneve të mëdha kundër kalimit të jashtëligjshëm kufitar në kuadër të mbrojtjes së territorit.

Falë ujdisë së re, stafi i Frontex do të ketë mundësi edhe të ushtrojë funksione ekzekutive, si për shembull të zhvillojë kontrolle në pikat kufitare apo të kryejë identifikimin biometrik të personave, të cilët kalojnë pikat kufitare të këtyre vendeve.

Ky aspekt i fundit, është edhe më i rëndësishëm, pasi lejon stafin e agjencisë të ushtrojë kontrolle më të imta dhe të depërtojë edhe më thellësisht në rrugën ballkanike që emigrantët zgjedhin.

Por, mbi të gjitha, e gjithë çështja shkon në benefit të vendeve të BE-së, të cilat janë përballur përtej fluksit të emigrantëve, për shkak të luftës në Ukrainë, edhe me shtim të kalimeve të jashtëligjshme nga emigrantët e rrugëve ballkanike.

Thënë kjo, zgjerimi i bashkëpunimit me gjithë rajonin, por veçanërisht me Shqipërinë dhe Serbinë, mund t’i japë jetë një fronti të ri bashkëpunues, i cili mund të frenojë edhe më tej fluksin e emigrantëve drejt BE-së.

Shqipëria merr dritën jeshile nga BE për zgjerimin e bashkëpunimit me Frontex

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore