Vende

Shqipëria e mesme, më e vizituara nga të huajt në fillim të vitit


Nuk është as bregdeti e as zonat malore, por Shqipëria e mesme, rajoni më i vizituar nga të huajt në fillim të vitit 2024.

Kështu është bërë me dije nga një raport i publikuar prej Institutit të Statistikave INSTAT, sa i takon vizitorëve të huaj, por edhe udhëtarëve brenda kufijve, ku rezulton se nga të huajt të paktën, Shqipëria e mesme është pika e nxehtë për të udhëtuar.

Vetëm gjatë shkurtit, shifrat flasin për 44 mijë e 500 vizitorë të huaj në rajonin qendror shqiptar, duke pasur kështu mbi 66% të fluksit total të udhëtarëve të huaj.

Të qenit ende larg periudhës së verës dhe me një mot që krijon vështirësi në zonat malore, turistët duket se janë kënaqur me bukuritë e Shqipërisë së mesme gjatë këtij fillimi të vitit.

Në rajonin e veriut janë raportuar 5 mijë e 620 vizitorë të huaj, teksa në jug, 5 mijë e 42.

Po ashtu, shumica e vizitorëve kanë preferuar të shkojnë në zona jo-bregdetare, me thuajse 70% të tyre larg bregdetit shqiptar.

Rritja ndërkaq është e dukshme gjatë shkurtit, pasi në vitin 2023 ka pasur 25 mijë e 594 vizitorë në këtë periudhë në rajonin qendror. Pra, rritja është e madhe sa i takon totalit të vizitorëve dhe duke marrë parasysh se 2023 ishte një vit rekordesh, është e kuptueshme se 2024 ka nisur mbarë për të thyer rekordin e mëparshëm.

Sa i takon lëvizjeve të brendshme, rajoni qendror sërish është më i vizituari, me 15 mijë e 993 persona gjatë shkurtit. Por, diferenca me zonat jugore dhe veriore është më e vogël, pasi jugut në shkurt i janë drejtuar mbi 12 mijë persona dhe veriut, thuajse 8 mijë.

Rritje të madhe kanë pasur edhe netët e qëndrimit sa i takon vizitorëve të huaj, me një dyfishim të tyre krahasuar me vitin 2023.

Në rajonin qendror, ka pasur 86 mijë e 439 netë qëndrimi në krahasim me 43 mijë të një viti më parë.

Duke shtuar 11 mijë e 534 netë qëndrimi nga zonat veriore dhe më tej 10 mijë e 255 nga jugu, është tejkaluar kështu shifra e 100 mijë netëve të qëndrimit gjatë shkurtit për turistët e huaj, duke theksuar impaktin e madh në turizëm dhe të ardhura të mira për strukturat akomoduese, ku mbi 97% e turistëve janë vendosur gjatë vizitës së tyre në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore