Shqipëria

Fitimet e investitorëve të huaj arrijnë rekord në Shqipëri


Fitimet e investitorëve të huaj në Shqipëri kanë kapur një nivel rekord, me mbi 1 miliard euro përfitime, më i larti në histori.

Sipas të dhënave nga Bilanci i Pagesave, të ardhurat e investitorëve të huaj në vend, gjatë vitit 2023, kanë arritur 1.014 miliardë euro, e cila shënjon një rritje prej 14.6% nëse krahasohet me vitin 2022.

Shuma është e përcaktuar nga investimet në Bilancin e Pagesave, ku përfshihen edhe fitimet e shpërndara ose të riinvestuara nga të huajt në Shqipëri.

Nëse nga shuma totale e të ardhurave nga investimet zbresim vlerën e fitimeve të riinvestuara, shuma e tërhequr nga investitorët e huaj vitin e kaluar (në formën e dividendëve ose yield-eve nga investimet e portofolit) mund të llogaritet në 211 milionë euro, me një rritje prej 37% krahasuar me vitin 2022.

Nga ana tjetër, edhe flukset hyrëse të të ardhurave nga investimet (të ardhurat e ekonomisë shqiptare nga investimet jashtë vendit) për vitin 2023 u rritën në 200 milionë euro, 43% më shumë krahasuar me vitin 2022.

Por, bilanci neto i të ardhurave nga investimet është negativ, në vlerën e 813 milionë eurove.

Deficiti në këtë zë u rrit me 9.3% krahasuar me një vit më parë. Duke qenë se investimet e huaja në Shqipëri janë shumë më të mëdha se investimet shqiptare jashtë vendit, bilanci neto i të ardhurave nga investimet ka qenë historikisht negativ.

Rritja e fitimeve të investitorëve të huaj në vitet e fundit mund të shpjegohet me disa faktorë. Rimëkëmbja e shpejtë të ekonomisë pas pandemisë ka sjellë efekte pozitive edhe për ndërmarrjet e huaja që veprojnë në Shqipëri, duke ndikuar në rritjen e fitimeve.

Megjithatë, një pjesë e mirë e rritjes mund t’i atribuohet forcimit të Lekut në kursin e këmbimit me Euron. Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ishte 9% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në periudha të veçanta vjetore e kursit arriti deri në 14%.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore