Kosova

Narrativa armiqësore, etiketime, fyerje, tendenca për kontroll – Mediat në Kosovë nën trysninë e pushtetit


Foto: Albanian Post.

“Ndërmarrje e përbashkët kriminale”, “të paguar nga Serbia” –  janë këto dy etiketimet që tregojnë realitetin aktual të gazetarisë në Kosovë dhe sulmet që bëhen vazhdimisht ndaj të njëjtëve që mision e kanë informimin.

Regresi i lirisë së shtypit së fundmi u tregua edhe nga raporti ndërkombëtarë i “Reporterëve pa Kufij”, duke hedhur dritë mbi një situatë që shpesh herë ka qenë nën hijen e së keqes.

Në dekadën e fundit, Kosova për herë të parë u radhit kaq dobët në këtë raport ku shënoi rënie për 19 vende – duke treguar sinjalin që dhuna, kërcënimet, sulmet, gjuha e urrejtjes, vazhdon të mbizotëroj veçse nga vitet paraprake ajo ka shënuar rritje.

Qasja jo e duhur me mediat dhe tentimet për ta përlyer punën e saj është bërë nga qeverisja aktuale e udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – kjo në shumicën e rasteve për shkak të mospajtimit me politikat e tij.

“E pritshme rënia në indeksin e 2023-së”

Profesori universitar në Departamentin e Gazetarisë, Arben Fetoshi, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post thekson se është vetë pushteti ai që ka krijuar një “narrativë armiqësore” me gazetarët.

“Përkeqësim ka gjithandej ku politikanët s’e durojnë “mbikëqyren” nga mediat, por e stërkeqja në Kosovë prin sepse pushteti ka kultivuar narrativë armiqësore ndaj mediave e gazetarëve, si “ndërmarrje e përbashkët kriminale” apo të “paguar nga Serbia”, thotë Fetoshi për Albanian Post.

Profesori universitar në Departamentin e Gazetarisë, Arben Fetoshi.

Sipas tij, një mjedis i tillë mediatik dërgon në censurë dhe vetëcensurë.

“Me gjuhën armiqësore të pushtetit ndaj gazetarëve, sulmet e shtuara dhe presionet ndaj mediave me metoda politike e financiare, rënia në indeksin e vitit 2023 ka qenë e pritshme”.

Nëse situata mes pushtetit dhe mediave vazhdon kështu ajo mund të përkeqësohet akoma më shumë.

“Nëse qeveria nuk heq dorë nga mendësia e kontrollit dhe nënshtrimit të mediave përmes presionit politik apo metodave financiare, liria e mediave në Kosovë do t’i mbetet vetëm retorikës së gërditshme të politikanëve”.

“Raporti i RSF-së detektoi saktësisht problemet e mediave në Kosovë”

Në anën tjetër profesori në Universitetin e Agderit në Norvegji dhe studiuesi i mediave, Abit Hoxha, në një deklaratë për Albanian Post thotë se raporti i RSF-së për Kosovën detektoi saktësisht problemet që janë në fushën e lirisë së medias.

“Indikatorët tregojnë se Kosova ka shënuar rënie drastike prej 19 vendeve në shumicën e rasteve si rezultat i veprimeve apo mungesës se tyre ne raport me mediat”, pohon Hoxha për AP.

Abit Hoxha, profesor në Universitetin e Agderit në Norvegji dhe studiues i mediave.

Ndonëse nga pushteti u arsyetun se fajtor për këto rezultate është Veriu dhe sulmet që kanë ndodhur në atë pjesë ndaj gazetarëve, ai sqaron se ky është vetëm njëri ndër faktorët.

“Vetëm një ndër faktorët e cekur nga RSF është Veriu, ndërsa faktorët e tjerë kanë të bëjnë me atë se Qeveria ose bën trysni apo në mënyrë implicite aprovon këto kampanja të denigrimit të personaliteteve publike që nuk pajtohen me politika qeveritare”.

“Gazetarët, cak i sulmeve politike”

Organizata “Reporterët pa Kufij” publikoi të premtë Indeksin vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit, ku Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”.

Ajo në raportin për vitin 2024 është radhitur e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar kur ishte listuar e 56-ta.

Gjatë këtij viti Kosova është notuar me notën 60.19 në krahasim me vitin e kaluar ku kishte grumbulluar plotë 68.38 pikë.

Gazetarët, siç thuhej në raport, vazhdojnë të jenë cak i sulmeve politike.

“Klan Kosova ka qenë subjekt i sulmeve administrative nga qeveria, e cila gjithashtu e ka kërcënuar pavarësinë e transmetuesit publik, RTK me zgjedhjen e një aleati të afërt të partisë në pushtet për drejtor”.

“Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasje në informatat publike, sidomos në gjuhën e tyre, që është e drejtë kushtetuese për minoritetet”, thuhet në raport.

Në Ballkanin Perëndimor, Maqedonia e Veriut prinë si shteti i parë sa i përket lirisë së mediave. Ajo është vlerësuar me notën 73.73. Mali i Zi është renditur i dytë me notën 73.21 Pas Maqedonisë së Veriut e Malit të Zi, Kosova është renditur e treta.

Foto: Albanian Post.

Ndërsa më keq se Kosova janë renditur Bosnja e Hercegovina, Serbia e Shqipëria.

Nga Qeveria e Kosovës, ndonëse është pranuar rezultati i dobët në Indeksin vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit është thënë se renditja e sivjetme “nuk duhet të na dekurajoj”.

Ndërkohë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa ka injoruar totalisht regresin me 19-të vende të Kosovës në lirinë e medias, ka potencuar se zyra e saj mbështet dhe inkurajon gazetarët, duke riafirmuar angazhimin për ta mbrojtur të drejtën e tyre “për të raportuar pa frikë dhe censurë”.

Policia e Kosovës, deri tani ka proceduar tetë raste kundër gazetarëve mes tyre pesë raste të kanosjes, dy të ngacmimit dhe një të sulmit.

Nga Prokuroria ishte thënë se rastet e gazetarëve trajtohen me prioritet, ndërsa deri në shtator të 2023-së ishte thënë se janë pesë aktakuza për rastet ndaj tyre.

Për ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, kjo rënie është alarmante.

“Mediat shpesh përmenden si shtylla e katërt e demokracisë dhe ato duhet të mbrohen, e jo të kontrollohen. Në Kosovë, media ka një pozicion të mirë në krahasimin rajonal. Megjithatë, raporti i sapo publikuar tregon një rënie alarmante me 19 vende që nga viti i kaluar. Nevojitet një kthesë!”, ka shkruar Rohde në platformën sociale “X”, të premten.

Ndërsa, redaktori i Raportit të “Rerporterëve pa Kufij”, Pavol Szalai, përmes disa deklaratave për mediat në Kosovë tha se përgjegjës për regresin e Kosovës në këtë raport është edhe Qeveria e Kosovës.

“Kjo në një shkallë të lartë, jo në mënyrë ekskluzive, por në masë të madhe është pjesë e përgjegjësisë së Qeverisë së Kosovës”, deklaroi ai.

Mediat në Kosovë gjatë detyrës së tyre.

Si alarmant këtë raport e ka konsideruar edhe opozita.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është kundër mediave.

“Tashmë s’ka askush asnjë dyshim se Vetëvendosje është kundër mediave, është kundër secilit që mendon ndryshe, është kundër bizneseve, është kundër qytetarit”, ka shkruar ajo në rrjetin social ‘Facebook’.

Ndërsa, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka theksuar se pushteti i pengon liria e shprehjes, prandaj tendencat e tyre janë për t’i kontrolluar ato.

“Shqetësues mbetet qasja e eksponentëve të pushtetit me sulmet e orkestruara që i bëjnë mediave dhe tendenca për kontroll ndaj tyre, duke shënuar regres alarmant sa i përket lirisë së medias, i vërtetuar edhe nga raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare”, ka thënë ai në rrjetin social ‘Facebook’.

Vlerësimet e Kosovës ndër vite nga organizata “Reporterët pa Kufij”

Në vitin 2014 Kosova ishte vlerësuar me notën 70.71 nga kjo organizatë, ndërsa gjatë viti 2024 Kosova ka grumbulluar vetëm 60.19 pikë.

Në vitin 2013, Kosova ishte vlerësuar me notën 68.38. Në vitin 2023 me notën 68.38.

Në vitin 2022 me notën 67. Në vitin 2021 me notën 69.68. Në vitin 2020 me notën 70.67.

Në vitin 2019 me notën 70.32. Në vitin 2018 me notën 70.39.

Në vitin 2017 me notën 69.55. Në vitin 2016 me notën 69.5. Në vitin 2015 me notën 69.37.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore