Kosova

“Paaftësi”, “papërgjegjësi”, “joseriozitet”, “fitore e pushtetit, jo e shtetit”, shansi i humbur për t’u anëtarësuar në KiE


Ilustrim.

Kosova, të premten humbin shansin i cili nuk dihet se kur do të vijë sërish për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës (KiE).

Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj nuk e shqyrtoi fare anëtarësimin në Këshillin e Evropës – kjo për shkak se Qeveria mori vendim me vonesë për ta pranuar kërkesën e Gjermanisë dhe Francës, që draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të dërgohet në Kushtetuese.

Tërë kjo situatë dërgoi në reagime të shumta duke e konsideruar si dështimin më të madh në arenën ndërkombëtare, paaftësi të plotë dhe papërgjegjësi nga Qeveria dhe humbjen që Kosova tashmë e pësoi si partner.

Për ish-kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, propozimi i Qeverisë së Kosovës për të dërguar një draft-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – që nuk është i dakorduar paraprakisht në procesin e dialogut – në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim përveç se është “paradoksal është edhe joserioz”.

Mustafa në një prononcim për Albanian Post theksoi se Gjermania, Franca e Italia po kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që në Kushtetuese ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit që është derivat i Marrëveshjes së Brukselit dhe e Ohrit (e dakorduar më 27 shkurt dhe me 18 mars), i cili në vlerësimin e tij është “një autonomi politike territoriale”.

“Ndërkombëtarët tani po e kërkojnë Asociacionin sipas marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit të z. Kurtit të vitit 2023 që në fakt emërtohet si Asociacion, por është autonomi politike territoriale në komunat ku serbët janë shumicë. Prandaj, s’ka asgjë të përbashkët me atë të vitit 2013 dhe dokumentin e vitit 2015”, ka thënë ai për AP.

Për ish-kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa ndër të tjera argumentoi se në Kushtetuese mund të përcillen vetëm dokumente të aprovuara paraprakisht nga Qeveria, e cila fillimisht duhet të jetë e derivuar “nga një pajtim i palëve në proces të dialogut”.

Ndërsa ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti për tërë këtë eksperiment.

“Mospërfshirja e Kosovës për votim në Këshillin e Ministrave, është dështimi më i madh i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ky dështim i faturohet një njeriu e ai është, Albin Kurti. Eksperimentet e tij, jo vetëm që e kanë dëmtuar rëndë imazhin e vendit, por po e dobësojnë edhe subjektivitetin e shtetit”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tha se pasojat tashmë do t’i vuajnë qytetarët e Kosovës, duke u bërë thirrje shteteve të Bashkimit Evropian që të ndryshojnë qëndrim.

“U bëj thirrje shteteve të BE-së, të mos i ndëshkojnë qytetarët dhe shtetin e Kosovës, për shkak të papërgjegjësisë dhe mungesës së seriozitetit të një njeriu, por të na e shtrijnë dorën e t’na e hapin rrugën e integrimit”.

Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit të Kosovës duke e quajtur “paaftësi të plotë” dhe “papërgjegjësi të skajshme” të Qeverisë dështimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

“Fatkeqësisht, sot, dy vite më vonë, kur gjithçka ishte gati pasi kishim siguruar mbështetjen e nevojshme, për shkak të paaftësisë së plotë dhe papërgjegjësisë së skajshme të Qeverisë sonë, edhe kjo mundësi u humb. Akoma më keq, një rast i tillë nuk e dijmë se kur do të na paraqitet prapë”, ka thënë ai, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

Për të zgjidhja e kësaj situate do të ishte që Kosova të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

“Kjo Qeveri, ky pushtet, pa përjashtuar asnjë nga përgjegjësit e institucioneve shtetërore, dështoi ta finalizojë një punë thuajse të kryer. Mbështetjen e ktheu në injorim. Besimin në zhgënjim. E të ardhmen e sigurt të qytetarëve tanë – e shndërroi në faturë të lartë politike që duhet ta paguajnë po ata”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi.

Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, këtë dështim e ka quajtur si “fitore të pushtetit” dhe “jo shtetit”.

“Shkurtpamësi me pasoja të mëdha e të gjata. Keq – shumë keq!”, ka shkruar ajo, të premten.

Analistit politik, Agon Maliqi, tha se dështimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk ka të bëjë vetëm me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por, në vlerësimin e tij, edhe me qasjen e qeverisë së Albin Kurti në Veri të vendit.

“Dështimi në Këshillin e Evropës nuk ka të bëjë vetëm me asociacionin. Ai u bë kusht i pakalueshëm në këtë rast për shkak të qasjes së përgjithshme 2+ vjeçare në Veri dhe humbjes së plotë të besimit në Kosovën si partner”, ka shkruar Maliqi në Facebook.

“Kur disa prej nesh insistonim se gjërat duhet të bëhen me koordinim dhe se nuk mund të luhet hajgare me NATO-n, populistët na përqeshnin dhe insistonin se po ‘shtrijnë sovranitet’”, rikujtoi ai.

Tash, paralajmëroi analisti politik, mos u habitni “kur na vjen fatura: cungimi ndërkombëtar i Kosovës”.

Çka thanë krerët e shtetit?

Nga pushteti reagim nuk pati nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por në vend të tij reagoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Fillimisht, Gërvalla, bëri të ditur se anëtarësimi i Kosovës për në KiE s’është shqyrtuar fare duke thënë se propozimi i Kosovës për të përpiluar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për të dërguar atë deri në fund të muajit maj në Kushtetuese për shqyrtim e ka humbur “aktualitetin dhe relevancën”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit”.

“Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, ka shkruar Gërvalla në rrjetin social ‘Facebook’.

Duke komentuar vendimin e Komitetit të Ministrave, Gërvalla ka vlerësuar se qëndrimi i tyre është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës pasi Kosovës i është vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla. 

Ndër të tjera Gërvalla ka potencuar se disa vende anëtare me mos-pranimin e Kosovës në KiE zgjodhën “t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës”.

Ndërsa, për Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, shteti që ajo udhëheqë shumë shpejt do të jetë anëtar i ri i Këshillit të Evropës.

Këto komente, Osmani i ka bërë përmes një postimi në platformën X, pasi që në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dështoi që të futej në agjendë çështja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.

“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është thjesht çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë”, shkroi Osmani.

Pasi të jemi atje, e para vendit ka theksuar se “ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcaktojnë KiE: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës”.

Arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca i bënë Kosovës duke kërkuar nga ajo hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë, madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kushtëzimi i bërë nga Franca dhe Gjermania ishte “absurd”.

Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore