Kosova

Dinari vazhdon të përdoret në Veri për kryerjen e pagesave, askush s’i kontrollon


Ilustrim.

Pagesat në dinarë, po vazhdojnë të bëhen në objekte të shitjes me pakicë në komunat veriore të Kosovës – ndonëse Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përdorimin e dinarit për pagesa që nga muaji shkurt ndërsa periudha tremujore transitore për zbatimin e lehtësimit të rregullores së saj, përfundoi më 13 maj.

Nga disa dyqane në Veri kanë deklaruar se askush s’i ka kontrolluar nëse pagesat me dinarë janë duke vazhduar.

Bllagica, e cila është pronare e një dyqani në Mitrovicën e Veriut, ka konfirmuar për Radio Evropën e Lirë se pranon akoma dinarë.

“Ne pranojmë edhe euro, edhe pse është pak problem kthimi i kusurit prej 10 apo 20 centësh, derisa të rregullohet pak”, ka thënë ajo duke shtuar se vazhdon të pranojë dinarë “derisa ata të ndalohen plotësisht”.

Përveç gazetarëve, Bllagica thotë se s’ka pasur asnjë kontroll tjetër.

“Këtu te ne nuk ka pasur kontrolle sa u përket dinarëve. Ka pasur vetëm gazetarë për të pyetur, mirëpo, mjet i pagesës këtu është ende dinari”.

Edhe Natasha, e cila po ashtu është punonjëse në një dyqan në Mitrovicën e Veriut, thotë se pranon dinarë, paralelisht me euron.

“Kemi vite që punojmë edhe me dinarë, edhe me euro. Por, ne vazhdojmë të pranojmë dinarë për aq kohë sa kemi mundësi”, tka thënë ajo.

Ngjashëm tregon se askush nuk i ka vizituar dhe nuk i ka kontrolluar për valutën që përdorin.

“Deri më tash jo, kam dëgjuar nga lokale të tjera që ka pasur kontrolle. Sigurisht që i presim çdo ditë”, thotë ajo, por nuk specifikon se për cilat lokale e ka fjalën.

Teksa afaristi Dushan Gashiç, situatën aktuale e ka përshkruar si tejet të keqe.

“Nuk jam i sigurt se si është situata në terren lidhur me përdorimin e dinarit, ndoshta varet nga rastet veç e veç. Por, në përgjithësi, është shumë e keqe, për të mos thënë katastrofale”.

Ndërsa nga Banka Qendrore është thënë se secili institucion publik ka mandatin, përgjegjësinë dhe detyrimet e përcaktuara me dispozitat e rregullores.

Dogana e Kosovës, Inspektorati i Tregut dhe Administrata Tatimore – janë institucionet të cilat duhet të kryejnë kontrollet për këtë çështje.

Me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve, nëse inspektorët hasin në çmime të vendosura në dinarë, bizneset mund të gjobiten nga 1 mijë euro deri në 20 mijë euro varësisht nga shkelja ligjore.

Më 15 maj, Qeveria e Kosovës teksa ka folur për takimin e së mërkurës për dinarin në Bruksel, ka thënë se përpjekjeve të tyre për integrim të komunitetit serb, pala serbe iu përgjigj “tani me kërkesën eksplicite që të kalohet nga një sistem paralel ilegal, në një sistem paralel, por legal”.

Këto komente, qeveria i ka bërë pas dështimit të takimit të shtatë në mes të Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht kryenegocatorit kosovar, Besnik Bislimi, dhe atij serb, Petar Petkoviç, me ndërmjetësimin e Miroslav Lajçak, për çështjen e dinarit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore