Lajme

Kurti për vizitën dy ditore në Gjermani: Kryefjala e vizitës ishte rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në KiE


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas përfundimit të vizitës së tij dy ditore në Gjermani ka thënë se qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte të flitej për rëndësinë që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës (KiE).

“Kryefjala e vizitës sonë ishte rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilën bëmë thirrje për mbështetje të mëtejme nga aleatët tanë gjermanë”, ka shkruar ai.

Teksa ka përmendur takimet që ka pasur gjatë kësaj vizite.

“Takuam Ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, Ministrin për Ushqim dhe Bujqësi, Cem Oezdemir, bashkë-drejtuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil, e dhjetëra deputetë të Parlamentit gjerman nga radhët e Partisë Socialdemokrate (SPD), Bashkimit Demokristian (CDU), Partisë së Gjelbër (Grune) dhe Partisë së Lirë Demokratike (FDP), të cilët i falënderoj për takimet e përzemërta, mikpritjen e tyre dhe mbështetjen e qëndrueshme ndaj Kosovës”.

Sipas tij, është tejet e rëndësishme që Kosova të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës.

“Këshilli i Evropës i mbush 75 vjet nga themelimi i saj, në këtë përvjetor ajo duhet të zgjerohet dhe me Republikën tonë si anëtare të 47-të. Ne duam të kontribojmë dhe pasurojmë vlerat e parimet demokratike të kësaj organizate. Anëtarësimi ynë, përbën dhe hapin e parë drejt bashkimit tonë me familjen evropiane”.

Ai ka theksuar se fuqizimi i marrëdhënieve me partnerët e aleatët gjermanë është përherë i domosdoshëm e mban gjithmonë një vend të veçantë në politikën e jashtme të Kosovës.

Pak ditë pasi Gjermania kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe – të paktën dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim – kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, kryeministri, në takim me disa deputetët gjermanë kërkoi mbështetjen e tyre edhe në hapin e fundit të Kosovës drejt kësaj organizate ndërkombëtare.

“Krahas mirënjohës për mbështetjen e deritanishme ndaj vendit tonë, kryeministri Kurti u bëri thirrje deputetëve gjermanë dhe qeverisë gjermane që të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën edhe në hapin e fundit, mbi bazën e opinionit të raportueses Dora Bakoyannis, votës historike të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës më 16 prill dhe regjistrit të kornizës ligjore, të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore