Shqipëria

Mbi 14 milionë turistë priten këtë vit, Balla: Policia e Shtetit i ka marrë të gjitha masat


Ministri i Brendshëm në Republikën e Shqipërisë, Taulant Balla, ka theksuar se Policia e Shtetit i ka gati masat për përballimin e fluksit në rritje të turistëve.

Sipas tij priten mbi 14 milionë turistë dhe vitin e shkuar u dëshmua se Shqipëria, përtej mikpritjes dhe bukurisë natyrore, ka dhe një siguri mbresëlënëse.

Balla gjatë një komunikimi për mediat pas takimit me krerët e Drejtorisë Vendore të Policisë së Korçës, tha se qyteti juglindor është kryeqyteti i Pashkëve Ortodokse.

“Javës tjetër kemi përgjegjësinë për të organizuar gjithçka duhet për mbarëvajtjen e kësaj feste. Mos harroni, që sa herë kemi Pashkët, vëllezërit dhe motrat tanë rikthehen në Shqipëri për festa. Pas këtij komunikimi, do të jemi në Kapshticë, për t’u takuar me autoritetet e pikës kufitare të dy vendeve për marrjen e masave në kohë për të shmangur trafikun”, tha Balla.

Për të ajo që Shqipëria po dëshmon vit pas viti, mund të përmblidhet në 3 dimensione kryesore: Ofron një turizëm falë një natyre të mrekullueshme me destinacione të bukura turistike; Shqipëria është vend mikpritës, fal popullit shqiptar, që e konsideron mikun njësoj si Zoti – së treti, siguria mbresëlënëse.

“Mjafton t’ju kujtoj se në 10 milionë turistët që erdhën në vitin 2023, s’kemi pasur asnjë ngjarje kriminale ku të jenë përfshirë turistët. Turisti është kthyer në objekt të rëndësisë së veçantë. Duhet ta mbrojmë të gjithë. Ata përmirësojnë ekonominë tonë me ardhjen e tyre në Shqipëri”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore