Lajme

Jep dorëheqje zv.drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka


Zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka

Zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Naim Uka, ka dhënë dorëheqje, të premten e 9 nëntorit.

Lajmin për dorëheqjen e tij nga ky Institut e ka konfirmuar vetë Uka për Albanian Post.

“Po, është e vërtetë. Kam dhënë dorëheqje morale dhe të parevokueshme nga pozita e zv.Drejtorit të IML-së”, ka thënë Uka për AP.

Largimi i tij vjen pas raportimit të së martës nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu se janë zhdukur mostrat e ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

“Gjatë bartjes së mostrave, një zyrtar ka vërejtur se mungojnë mostrat me disa kode. Zyrtari ka marr kodet dhe ka kontrolluar se cilat mostra janë në pyetje dhe më pastaj është marr vesh se bëhet fjalë për mostrat e Astrit Deharit. Hera e fundit kur mostrat janë bartur është në tetorin e vitit 2021, pra nga Tetori deri sot, nuk dihet saktë kur janë zhdukur mostrat”, kishte deklaruar Haxhiu.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, kishte thënë për Albanian Post se tashmë Prokuroria ka nisur hetimet për rastin Dehari, pasi në një konferencë për media të enjten, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit.

“Tashmë me këtë rast është duke u marrë prokuroria”, tha shkurt Kelmendi.

Ministria e Drejtësisë, të enjten ka bërë të ditur se janë pezulluar katër zyrtarë të Instituti të Mjekësisë Ligjore pas zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.

Zyrtarët e suspenduar janë: Nardi Sheqergjiu, Flutura Goga , Ilirjana Shala ,Anila Lakna.

Vdekja e Astrit Deharit, ish-aktivistit të Vetëvendosjes në kohën kur ishte në paraburgim, është një nga rastet më të rënda në Kosovën e pasluftës.

Familja Dehari dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë vazhdimisht se ai u vra qëllimisht dhe fajtor kanë bërë pushtetin e atëhershëm, derisa zyrtarisht vdekje e Deharit është e regjistruar si vetëvrasje.

Analiza dhe ekspertiza të shumta janë bërë, dhe me zgjedhjen e familjes janë dërguar edhe në një Institut Zviceran të Mjekësisë Ligjore, por instituti kishte konstatuar se në provat që ka ekzaminuar nuk ka hasur në ADN të një personi të dytë.

Familja dhe Vetëvendosje nuk e kanë pranuar në tërësi rezultatin, duke pohuar se ka pasur ndërhyrje në prova, prandaj edhe instituti nuk ka arritur të gjejë personin që e ka vrarë.

Në anën tjetër, Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar për Albanian Post, se tashmë kanë filluar hetimin për të parë se çfarë ka ndodhur dhe si humbën mostrat e Deharit.

Hetimi pritet të gjejë fajtorët shpejt, meqë janë vetëm tre zyrtarë të shtetit që kanë qasje në dhomën ku ruheshin mostrat.

Ministrja Haxhiu ka deklaruar në konferencë se ajo i di këta tre emra, por nuk ka preferuar t’i bëjë publik derisa të zbardhin hetimet të vërtetën.

Për dorëheqjen e saj eventuale nuk ka folur.

Humbja e mostrave të Deharit: Albulena Haxhiu duhet “ta ofrojë dorëheqjen”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore