Kosova

MPB-ja mobilizohet për t’i ndihmuar bizneset që pësuan nga reshjet e shiut


Situata pas reshjeve të shiut në Prishtinë.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), është mobilizuar që t’u dalë në ndihmë bizneseve që kanë pësuar nga reshjet e shiut, të hënën.

Vendimi është marrë pas vizitës që ka bërë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Bardhyl Dobra së bashku me zëvendësuesin e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, z. Shefki Abdullahun dhe Kryeinspektorin për Menaxhimin e Emergjencave, z. Kastriot Lajqi, kanë dalë në terren për ta parë nga afër gjendjen dhe punën e zjarrfikësve.

Përmes një komunikate dërguar mediave, thuhet se zëvendësministri Dobra ka vizituar disa zona.

“Në veçanti pikën në lagjen Veternik dhe fshatin Dobratin të komunës së Graçanicës”.

“Më këtë rast zëvendësministri Dobra ka konstatuar se të gjitha njësitet e zjarrfikësve janë mobilizuar plotësisht për të menaxhuar situatën dhe për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve që janë prekur nga kjo situatë”, thuhet në komunikatën dërguar mediave.

Ndërkaq, falënderoi zjarrfikësit për angazhimin e tyre duke thënë se falë punës së tyre situata është nën kontroll dhe të gjitha pengesat janë mënjanuar.

Edhe Komuna e Prishtinës, ka bërë të ditur se është angazhuar për ta stabilizuar situatën që u shkaktua si pasojë e reshjeve.

“Pas shiut të rrëmbyeshëm të mëngjesit të hershëm, në disa zona të kryeqytetit janë shkaktuar dëme materiale, të cilat ekipet e zjarrfikësve dhe Drejtorisë së Sigurisë dhe Emergjencave në bashkëpunim me policinë janë duke i sanuar”, thuhet në komunikatë.

Nga qytetarët, ka bërë thirrje që të kenë durim në trafikun e ngarkuar i cili është thënë se është shkaktuar për shkak të ndërhyrjeve në sanim nga ekipet e emergjencave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore