Lajme

Konferenca e Haxhiut dhe hetimi i Inspektoratit të MD-së: A u zbulua diçka e re për rastin e Astrit Deharit?


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ka dy vjet prejse Lëvizja Vetëvendosje ka marrë pushtetin në Kosovë, por ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha në konferencë për media se vetëm para një muaji ka filluar një hetim nga Inspektorati i kësaj ministrie për të kuptuar më shumë se çfarë ndodhi në rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

“Raportin e kemi marrë para 10 ditësh, dhe periudha kohore prej kur ka nisur ky raport (hetim) është brenda një muaj”, tregoi Haxhiu.

Këtë të hënë Haxhiu doli para mediave për të shpalosur se cilat janë gjetjet e hetimit. Sipas saj, bazuar në atë çfarë zbulon hetimi, ka pasur parregullsi në trajtimin e provave, kryesisht të mënyrë së si është përdorur materiali i incizuar nga kamerat e burgut.

“Me 5 nëntor të vitit 2016 në rrethana ende të pasqaruara ka ndërruar jetë Astrit Dehari. Që nga marrja e detyrës kemi pranuar informata nga zyrtarë të ndryshëm lidhur me përfshirjen e personave përgjegjës në këtë rast”, tha Haxhiu.

Për këtë arsye, ajo ka kërkuar inspektim nga Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë.

Ky Inspektorat bën inspektimin e punës në Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe, ligjërisht, është mekanizëm i pavarur.

“Në raportin të cilin ne e kemi pranuar adreson shkeljet si në vijim: Marrja apo posedimi, i incizimit të kamerave me aprovim të ish drejtorit të qendrës së Paraburgimit në Prizren Destan Zogaj, tek zyrtaret Ylber Topalli, Burim Buleshkaj, dhe anëtarë nga komisioni tjetër përbën shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionit përkatës për mbrojtjen e të dhënave”, sqaroi Haxhiu.

“Është e rëndësishme të theksohet se incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i ministrisë së drejtësisë dhe zyrtarët e shërbimit korrektues të Kosovës janë marrë para se ato t’i merrte policia, pra nga data 5, kur ka ndodhur rasti dhe data 6, 7 nëntor të vitit 2016”.

Sipas Haxhiut, “është e çuditshme se si zyrtarët korrektues dhe kryeinspektori i MD-së, kanë marrë kamerat e sigurisë para organeve të ndjekjes”.

“Sipas legjislacionit në Fuqi, në rast të ndonjë veprimi me elemente të natyrës penale autoriteti kompetent për marrjen e incizimeve është policia”.

Astrit Dehari

Kurse, në anën tjetër, “zyrtarët e institucionit mund të kenë qasje në incizime, por assesi t’i marrin ato përmes USB-së dhe assesi para policisë”.

Më tutje, sipas raportit të inspektoratit, kryeinspektori në vitin 2016 lidhur me rastin në fjalë ka nxjerr dy raporte kontradiktore, pohon ministrja, “njëra me datë 14.11.2016 dhe tjetra me datë 21.11.2016”.

“Arsyeja pse inspektorati e ka vlerësuar këtë si problem është se në raportin e parë të kryeinspektorit thuhet se po bëhet inspektim i jashtëzakonshëm duke e cilësuar rastin si vetëvrasje. Duke tejkaluar kështu kompetencat ligjore, sepse kryeinspektori dhe inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë, nuk ka të drejtë që të cilësoi nëse është vrasje, apo vetëvrasje, ai merret vetëm me rrethanat e rastit. Pra, ne vlerësojmë, sipas inspektoratit pra, që i njëjti ka tejkaluar kompetencat ligjore si kryeinspektor, ndërsa, raportin e datës 21.11.2016 thuhet që po bëhet inspektim dhe shkruan rastin e vdekjes, pra janë dy raporte kontradiktore”.

Haxhiu ka treguar se “këto dy raporte janë të nënshkruara nga kryeinspektor Ylber Topalli, ku raportin e datës 14 ky i fundit e mohon. I njëjti e mohon që ekziston si i tillë. Dhe po ashtu, tani u takon organeve të ndjekës që të zbardhin nëse ky raport është i falsifikuar dhe nëse po nga kush. Apo në anën tjetër, nëse kryeinspektori nuk po e thotë të vërtetën”.

Si përfundim, Haxhiu pohon se “mbi bazën e këtij raporti, konstatohen veprime kontradiktore, të paqarta dhe lë dyshime për manipulim të provave dhe deklaratave të aktorëve të përshirë në këtë rast”.

Tani, meqë Ministria e Drejtësisë nuk kryen hetime, ajo tha se “do të ndërmarr dy veprime”.

“Raportin në fjalë do ta dërgojë te prokurori i shtetit Besim Kelmendi dhe i njëjti do të dërgohet te organet përgjegjëse”.

Zbardhja e rastit të Astrit Deharit ka qenë një nga premtimet elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore