Lajme

Sulmohen zyrtarët policorë në Prishtinë, arrestohen të dyshuarit


Dy persona të dehur kanë sulmuar zyrtarët policorë të shtunën në Prishtinë, derisa njëri nga ta ka marrë lëndime trupore.

Policia thotë se kishte marrë informata për përleshje mes disa personave dhe njësiti i saj policor ka hasur në dy të dyshuar të cilët ishin nën ndikim të alkoolit.

“Zyrtarët policorë gjatë intervenimit për t’i vënë nën kontroll janë goditur nga njëri prej të dyshuarve me ç’rast njëri nga zyrtarët policor ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

Ndërkaq të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Sipas raportit, një shtetas i Shqipërisë është arrestuar në Bërnjak pasi që i njëjti në pikën kufitare gjatë kontrollit të dokumenteve kishte vendosur një kartmonedhë prej 50 eurosh.

Policia njofton përmes raportit se lidhur me rastin është bërë kontrolli i automjetit ku është vërejtur se kishte pesë koshere me bletë dhe rreth 40 zogj të pulës.

Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore