Lajme

“Do të mund ta padisin Serbinë në Gjykatën Evropiane pas anëtarësimit në KiE”, Osmani për familjarët e të zhdukurve


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, familjarët e personave të zhdukur do të kenë mundësinë për ta paditur Serbinë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës të gjitha familjet do të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për ta paditur Serbinë për shkeljen e të drejtës në jetë, për shkeljen e të drejtës në dinjitetit njerëzor dhe shumë të drejta të tjera”, tha Osmani para gazetarëve.

Ndryshe, më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte votuar pro raportit për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për miratimin e raportit të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, kanë qenë 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Para miratimit të raportit, Asambleja Parlamentare e KiE-së, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga Serbia.

Për t’u bërë anëtare e plotë e KiE-së, Kosovës i ka mbetur vetëm edhe një hap: votimi i Këshillit të Ministrave të Jashtëm në muajin maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore