Shqipëria

Gati për konsultim publik Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Vjosës, thotë Rama


Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Vjosës është gati për t’u konsultuar në publik.

Kështu të paktën ka bërë me dije kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, kryeministri shkruan se ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e lumit të Vjosës.

“Hedhim një tjetër hap të rëndësishëm në mbrojtjen e lumit të Vjosës, i fundmi lum i egër në Evropë, ku tanimë është hartuar Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar si një punë e kujdesshme dhe intensive nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe ekspertët ndërkombëtarë të IUCN, duke qenë gati për t’u konsultuar në publik”.

Sipas Ramës, tashmë është radha e komuniteteve lokale, atyre që jetojnë aty e do t’i gëzojnë të parët frytet e parkut të ri, të bashkojnë zërin në planin për menaxhimin të Vjosës, e cila mbrohet si Park Kombëtar në 480 km vijë lumorë, në 12 mijë hektarë sipërfaqe, me të tre degët e saj, nga hyrja në territorin e Shqipërisë e deri në grykëderdhje.

“Dëgjesat publike për ata që dinë të dëgjojnë do të mbahen në Fier, Vlorë e Gjirokastër më 22 dhe 23 maj”, njoftoi kryeministri.

Kështu më datën 22 maj, në orën 10:00 dëgjesa do të kryhet në Prefekturën Fier.

Më datën 22 maj, në orën 12:30 dëgjesa do të kryhet tek Pallati i Kulturës në Vlorë.

Një ditë më pas më 23 maj, në orën 11:00 dëgjesa do të kryhet në Prefekturën Gjirokastër.

Lumi Vjosa – një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë – buron nga malet e Pindit të Greqisë dhe rrjedh drejt Shqipërisë jugperëndimore, ku përshkon pesë qarqe përpara se të derdhet në detin Adriatik.

Qeveria shqiptare e shpalli ekosistemin natyror të lumit një park kombëtar, duke përmbushur standardet ndërkombëtare të mbrojtjes.

Ky vendim erdhi pas një fushate të spikatur të udhëhequr nga kompania e veshjeve të nivelit të lartë Patagonia dhe aktori Leonardo DiCaprio, i nxitur nga planet për një hidrocentral në vitin 2016, të cilat përfundimisht u anuluan.

Vjosa, një Park Kombëtar në zhvillim e sipër

Një numër ekspertësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë, si edhe autoritete përkatëse, vizituan luginën e lumit Vjosa në Shqipëri me qëllime studimore qershorin e shkuar, duke bërë hapat e parë drejt ndërtimit të një Parku Kombëtar të lumit të egër Vjosa, të konservuar dhe menaxhuar në mënyrë efektive dhe të drejtë.

Lumi Vjosa në Shqipëri u shpall Park Kombëtar më 15 mars 2023, duke marrë statusin e Kategorisë II të Menaxhimit të Zonës së Mbrojtur të IUCN.

“Kjo do të thotë që Vjosa mbrohet sipas standardeve më të larta ndërkombëtare që sigurojnë integritetin e saj ekologjik, duke lejuar që të ndodhin procese natyrore dhe duke mbështetur popullatat e të gjitha specieve vendase”, sqaron Ulrika Åberg, Zyrtare e Programit të IUCN për Zonat e Mbrojtura dhe të Ruajtura.

Vizita studimore solli një grup ekspertësh në Luginën e Vjosës nga data 9 deri më 16 qershor për të njohur peizazhin e saj dhe aktorët kryesorë, për t’u frymëzuar dhe eksploruar mundësitë për përgatitjen e planit të menaxhimit të integruar.

Raundi i parë i takimeve me palët e interesuara u mbajt në qytetet Përmet, Këlcyrë, Tepelenë dhe Vlorë, si edhe në Tiranë.

Hapi tjetër kyç është të punohet me autoritetet kombëtare dhe ekspertët për të përgatitur një plan menaxhues të Parkut Kombëtar, në konsultim me grupe të ndryshme të palëve të interesuara.

Ai do të përafrohet me standardet globale, të tilla si Kategoritë dhe Udhëzimet e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura të IUCN për zbatimin e tyre dhe Standardi i Listës së Gjelbër të IUCN për ruajtje efektive të bazuar në zona.

“Një plan menaxhimi është një dokument që përcakton qasjen dhe qëllimet e menaxhimit, së bashku me një kornizë për vendimmarrje, që do të zbatohet në një zonë specifike të mbrojtur gjatë një periudhe të caktuar kohore”, shpjegon Anna Kovarovics, E.C.O. Instituti i Ekologjisë që drejton procesin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore