Lajme

Humbja e mostrave të Deharit: Albulena Haxhiu duhet “ta ofrojë dorëheqjen”


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe aktivisti i ndjerë i Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se nga laboratori i toksikologjisë janë zhdukur epruvetat me mostrat e Astrit Deharit dhe për këtë skandal, vetë Haxhiu duhet të jap dorëheqje për përgjegjësinë politike që ka, pasi Instituti i Mjekësisë Ligjore është brenda Ministrisë së Drejtësisë.

Kështu thonë ish-ministra e zëvendës-ministra të Drejtësisë, të pyetur nga Albanian Post, se ku konsiston përgjegjësia në këtë skandal.

“Kjo është vepër penale, është vepra më e rëndë penale kushdo që e ka bërë dhe nuk bën të ndodh në një shtet demokratik. Prandaj askush nuk mund ta fshijë përgjegjësinë politike që ka ministrja në këtë rast dhe askush nuk mund ta neglizhojë këtë përgjegjësi”, ka deklaruar për Albanian Post, Jonuz Salihaj, ish ministër i drejtësisë në qeverisjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Madje, Jonuzaj thotë se jo vetëm për këtë rast, por “rastet e fundit janë alarme që ministrat duhet të kenë përgjegjësi morale dhe të ofrojnë dorëheqje, jo të shkojnë dhe të ankohen sikurse mos të jenë në pushtet”.

“Ata i kanë të gjithë mekanizmat, prandaj nuk është koha të ankohen, por duhet të veprojnë”, pohon Januzaj.

Ai kujton që sa ishte ministër “kemi pasur një iniciativë që instituti të jetë i pavarur dhe që të mos ketë kësi impakte politike tek puna e institutit”, por deklaron se “meqë mandatin e kisha të shkurt nuk ia dola”.

Por, rithekson se “përgjegjësi politike është dashur të jep kjo ministre, por fatkeqësisht kjo qeveri asnjëherë nuk e ka gjetur kurajonë që të jep dorëheqje pavarësisht se sa madhore kanë qenë skandalet e tyre, duke përfshirë edhe këtë të fundit”.

Profesori universitar i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ish zëvendësministëri i Drejtësisë, Florian Sallahu, dhe ish ministri i drejtësisë Jonuz Salihaj.

Rasti për zhdukjen e mostrave u bë i ditur nga vetë Haxhiu.

Siç u kuptua, në raksat, apo mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një epruvetë e lukthit. Nga këto, instituti dy epruveta me gjak ia ka dhënë institutit zviceran dhe një policisë për ADN.

“Pra, aktualisht, sipas informacioneve, sepse unë nuk kam qasje në vendin ku ruhen mostrat, por sipas informacioneve, mungojnë 12 epruveta me gjak një e urinës dhe një e lukthit”, tregoi Haxhiu, duke e cilësuar ndodhinë “veprim kriminal”, por duke mos marrë përgjegjësi për çfarë ka ndodhur.

Edhe Florian Sallahu, ish zëvendësministër i Drejtësisë në qeverisjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se “për besë përgjegjësi politike për rastin duhet të japin”.

Madje, një përgjegjësi e tillë politike Haxhiut nuk do të duhej t’i ngjante e panjohur, pasi “në të kaluarën e kishin kërkuar edhe vetë nga të tjerët”.

“Prandaj, unë saktë nuk e di çka ndodh tash, besoj dhe shpresoj që do të ndërtojnë një raport të mirëfilltë, ndërsa përgjegjësi duhet të japin edhe politike, por edhe profesionale”, shton Sallahu në këtë përgjigje për Albanian Post.

Përtej kërkesës nga kundërshtarët politik, se duhet të jap përgjegjësi ministrja e thotë edhe Mazllum Barliu, profesori universitar i të Drejtës Kushtetuese.

“Kjo çështje është e rregulluar me hierarki të përgjegjësisë dhe kjo përgjegjësi është në radhë të parë tek ai që është kryes i drejtpërdrejt, ekzekutues i detyrave pastaj menaxheri i parë i tij, menaxheri i dytë i tij. Pastaj, nëse të gjitha këto hallka kanë dështuar sigurisht që përgjegjësia shkon tek ministri”, shpjegon Baraliu për Albanian Post.

Ai sqaron se përtej se “duhet të bëhet një investigim dhe të shikohen të gjitha procedurat… përgjegjësia nuk mund të shmanget”.

Përgjegjësia nga ministrja e Drejtësisë nuk do të duhej të shmangej as në disa raste të tjera, siç ishte dështimi i shtetit për të mbrojtur gruan që u vra nga burri i saj, derisa po priste të linde foshnjën në Qendrën Klinike Universitare, por Baraliu pohon se “po del që në vazhdimësi fatkeqësi edhe e familjes edhe e të ndjerit edhe e jona si shoqëri që s’po mund të bëjmë gjë për ta forcuar dhe vendosur në binar sistemin e drejtësisë”.

Këtë, thotë Baraliu, nuk po e bëjnë as “këta që janë në pushtet dhe që kanë premtuar kaq shumë”.

“Po shihet që dy vjet nuk janë në gjendje të eliminojnë edhe shkeljet më elementare edhe më teknike, të cilat mund të kenë pasoja në zbardhjen definitive të rastit”.

Vdekja e Astrit Deharit, ish-aktivistit të Vetëvendosjes në kohën kur ishte në paraburgim, është një nga rastet më të rënda në Kosovën e pasluftës.

Familja Dehari dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë vazhdimisht se ai u vra qëllimisht dhe fajtor kanë bërë pushtetin e atëhershëm, derisa zyrtarisht vdekje e Deharit është e regjistruar si vetëvrasje.

Analiza dhe ekspertiza të shumta janë bërë, dhe me zgjedhjen e familjes janë dërguar edhe në një Institut Zviceran të Mjekësisë Ligjore, por instituti kishte konstatuar se në provat që ka ekzaminuar nuk ka hasur në ADN të një personi të dytë.

Familja dhe Vetëvendosje nuk e kanë pranuar në tërësi rezultatin, duke pohuar se ka pasur ndërhyrje në prova, prandaj edhe instituti nuk ka arritur të gjejë personin që e ka vrarë.

Në anën tjetër, Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar për Albanian Post, se tashmë kanë filluar hetimin për të parë se çfarë ka ndodhur dhe si humbën mostrat e Deharit.

Hetimi pritet të gjejë fajtorët shpejt, meqë janë vetëm tre zyrtarë të shtetit që kanë qasje në dhomën ku ruheshin mostrat.

Ministrja Haxhiu ka deklaruar në konferencë se ajo i di këta tre emra, por nuk ka preferuar t’i bëjë publik derisa të zbardhin hetimet të vërtetën.

Për dorëheqjen e saj eventuale nuk ka folur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore