Lajme

“Zhdukja e mostrave të Deharit”, Prokuroria nis hetimet


Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë për Albanian Post se tashmë Prokuroria ka nisur hetimet për rastin Dehari, pasi në një konferencë për media të enjten, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit.

“Tashmë me këtë rast është duke u marrë prokuroria”, tha shkurt Kelmendi.

AP ka kontaktuar edhe Avni Deharin, babain e të ndjerit për ta pyetur nëse është i informuar për rastin në fjalë, por nuk ka pranuar të komentoj.

‘Flisni me avokatin ju lutem”, tha Dehari që tani është deputet i Lëvizjes Vetëvendosje.

Shtetit i zhduken mostrat e Astrit Deharit nga laboratori, “mungojnë 12 epruveta me gjak”

Ndërsa për Haxhiun ky akt përveç se është i rëndë është edhe kriminal.

“Për këtë arsye mbrëmë e kam njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit, Besim Kelmendin si dhe Drejtorin e Policisë, Fehmi Hoti”.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një epruvetë e lukthit. Nga këto instituti 2 epruveta me gjak ja ka dhënë institutit zviceran dhe një policisë për ADN”, tha Haxhiu.

“Sipas informacioneve mungojnë 12 epruveta me gjak, një e urinës dhe një e lukthit”, ka shtuar ajo.

Aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore