Lajme

Kosova tenton ta bindë BE-në për heqjen e masave ndëshkuese – nëpërmjet fotografive


Ilustrim

Kosova intensifikoi thirrjet për heqjen e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian (BE) i vendosi në qershor të vitit të kaluar për shkak të përshkallëzimit të situatës në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, derisa blloku nënvizoi se nuk sheh asnjë arsye për heqjen e tyre.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të enjten se vendi përmbushi të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese që blloku vendosi ndaj Kosovës kryesisht për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri i vendit për uljen e tensioneve në veriun e trazuar të territorit.

“Masat, që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen e masave kufizuese”, deklaroi kryeministri Kurti gjatë mbledhjes së këshillit ministror për integrimet evropiane më 2 maj.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në përpjekje për t’ia dëshmuar zyrtarëve evropianë de-përshkallëzimin e situatës në pjesën veriore të vendit publikoi dy fotografi në platformën X të enjten, duke kërkuar që të hiqen “masat e padrejta” në bazë të realitetit të ri në terren.

“BE-ja i ka vendosur masa Kosovës sepse e ka fajësuar padrejtësisht për eskalimin e situatës që shihet në foton e parë (maj 2023). Ndërkaq, në foton e dytë, mund të shihet Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, pranë të njëjtës ndërtesë duke lëvizur i papenguar (prill 2024). De-eskalimi ka ndodhur. Prandaj është e qartë që masat ndaj Kosovës duhet të hiqen”.

Zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, deklaroi të enjten se për largimin e masave vendosin shtetet anëtare e jo Qeveria e Kosovës, duke shtuar se vendimi për heqjen e mundshme të masave kufizuese kërkon një konsensus më të gjerë në gjithë BE-në, ndonëse u vendosën në mënyrë të njëanshme nga shefi i diplomacisë evropiane.

“Kur i kemi vendosur masat kemi thënë se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen. Por, për këtë vendin vendet anëtare të BE-së, por jo Qeveria e Kosovës. Masat nuk u vendosën vetëm për një arsye, por për disa. Diskutimet për këtë janë në vazhdim e sipër në BE dhe vendet anëtare do të vendosin nëse do të hiqen masat dhe kur”, nënvizoi ndër të tjera zëdhënësi sllovak.

Në mesin e shteteve anëtare të BE-së megjithatë ekziston një dilemë: shtetet anëtare të bllokut, ndonëse pajtohen për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës, ndahen në dy grupe për mënyrën e heqjes së tyre – përderisa Franca, Italia dhe Gjermania, duan “heqje graduale” të masave, disa shtete tjera duan që sanksionet të hiqen në mënyrë të plotë dhe të menjëhershme.

“Masat janë vendosur ndaj Kosovës për arsye specifike. Kur shtetet anëtare vendosin që nuk ekzistojnë arsye për mbajtjen e tyre, ata do të vendosin të heqin masat përsëri, gradualisht ose tërësisht. Por, nuk lidhet vetëm me një incident apo një ngjarje”, u shpreh Stano nga salla e konferencave në Bruksel.

Francës, Italisë dhe Gjermanisë, në bazë të raportimeve, u janë bashkuar edhe tri vende që s’e njohin Kosovën – Greqia, Spanja dhe Qipro – ndërsa vendet që kërkojnë “heqjen e plotë” janë Finlanda, Kroacia, Polonia e Sllovenia. Pra, aspekti pozitiv është se asnjë vend nuk është shprehur kundër heqjes së masave. Madje as Hungaria njohëse, por kundërshtare e Kosovës.

Zyrtarët e BE-së vazhdimisht nënvizojnë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës që u implementuan në bazë të deklaratës së 27 vendeve anëtare të 3 qershorit 2023, do të tërhiqen vetëm atëherë kur ekzekutivi kosovar të bëjë hapa konkretë në drejtim të deeskalimit të situatës në veri, përfshirë hapjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore