Kosova

Mosanëtarësimi në KiE: Kurti s’flet për dështimet – sidomos nëse s’mund t’i fajësojë rivalët politikë


Albin Kurti

Tri ditë pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin Evropës, meqë Komiteti i Ministrave të KiE-së më 17 maj nuk e ka shqyrtuar fare anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, kryeministri Albin Kurti, ende nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Për njohësit e çështjeve politike, Shkodran Ramadanin dhe Fidan Ukajn, dështimi “i faturohet Kurtit”, pasi ky i fundit nuk ka pranuar ta dërgoj draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese duke cilësuar kërkesën e Francës Gjermanisë dhe Italisë si “absurde”.

Ramadani, në një bisedë për Albanian Post ka thënë se Kurti e ka të vështirë të flas për dështime, por sipas tij, “heshtja nuk mund ta minimizojë dëmin”.

“Arsyeja është një dhe e vetme: për dështime është vështirë të flasësh. Sidomos nëse nuk mund t’i fajësosh rivalët politikë për dështim. Prandaj heshtja është më e lehtë dhe mbase rruga e duhur nga perspektiva e tij.

Për studiuesin dhe sociologu kosovar mbase heshtja në ndonjë rast mund ta minimizojë dëmin, por nuk e bën dështimin më të vogël e as Kosovën më të suksesshme.

“Për dështime është më e vështirë të flasësh, sidomos për pushtetarët arrogantë që refuzojnë të marrin përgjegjësi”, ka vlerësuar Ramadani.

Ndërkaq në sytë analistit dhe njohësit të zhvillimeve politike e Fidan Ukajt, kryeministri Kurti pas dështimit për anëtarësim të Kosovës në KiE, po mundohet të gjejë fajtor duke e arsyetuar dështimin e tij.

“Vetëm veten nuk do ta mbajë fajtor për këtë dështim, edhe pse fajtori kryesor mendoj se është pikërisht Albin Kurti, meqë e ka pranuar formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, potencon Ukaj për AP.

Ukaj thotë se Kurti “po kalkulon politikisht” e duke e dëmtuar Kosovën në rrugën e saj drejt KiE-së, vetëm për të mbetur si premtimin elektoral se nuk e ka themeluar Asociacionin.

“Ky premtim mendoj se do të mbes deri në mandatin e ardhshëm pas zgjedhjeve nacionale, që sipas gjitha gjasave do jenë të parakohshme e me gjasë VV-ja do të jetë prapë parti e parë edhe parti qeverisëse”.

“Më pastaj do të shohim se zotëri Kurti do ta dërgoj për interpretim njërin nga draftet e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese me çka do të jetë edhe themelues dhe implementues i këtij mekanizimi”, ka nënvizuar ai.

Ndryshe, arsyeja pse Kosova nuk hyri në agjendën e seancës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro apo kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, ishte kushtëzimi që Gjermania dhe Franca dhe Italia i bënë Kosovës.

Këto tri shtete i kërkuan Kosovës hapa konkret në raport me Asociacionin – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, por Kosova refuzoi të bëjë një gjë të tillë.

Autoritetet kosovare argumentuan se Berlini e Parisi kanë ngatërruar dy procese të pavarura, pra procesin e dialogut dhe procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, sipas tyre ky kusht i ri “nuk përkon aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës”.

Pak ditë pasi Kosova mbeti jashtë agjendës Qeveria e Kosovës, njoftoi se ka vendosur ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Kushtetuese brenda majit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore