Aplikacione

Pekini forcon kontrollin ndaj gjigantëve kinezë të mediave sociale


Rregullat e reja që shtrëngojnë kufizimet e qeverisë kineze ndaj kompanive të internetit të vendit kanë hyrë në fuqi sot, duke ngritur shqetësime se si do të zbatohen.

Ligji i zgjeruar i Sekreteve Shtetërore i detyron firmat – duke përfshirë gjigantët e mediave sociale Tencent, ByteDance dhe Weibo – të ndërmarrin veprime nëse përdoruesit postojnë informacione të ndjeshme.

Ai kërkon që “operatorët e rrjetit” të monitorojnë informacionin që shpërndahet nga përdoruesit.

Rregullat gjithashtu përshkruajnë se si duhet të hiqen postimet, të ruhen të dhënat dhe të raportohen tek autoritetet.

Ky është përditësimi i parë i ligjit në më shumë se një dekadë dhe është në përputhje me fokusin e Presidentit Xi Jinping në sigurinë kombëtare, ndërsa qeveria godet industrinë e gjerë të teknologjisë të Kinës.

Kur rregullat e reja u shpallën për herë të parë në shkurt, një zyrtar i Administratës Kombëtare të Mbrojtjes së Sekreteve Shtetërore i ka thënë agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua se ato ishin të nevojshme pasi “ruajtja e sekreteve shtetërore përballet me probleme dhe sfida të reja në epokën e re”.

Teksa kompanitë e internetit në Kinë tashmë janë subjekt i rregullave strikte, ndryshimet “vendosin një standard të ri për vetë-monitorim aktiv dhe bashkëpunim të shpejtë”, ka thënë profesori i drejtësisë me bazë në Hong Kong, Ryan Mitchell.

Rregullat e rishikuara zgjerojnë gjithashtu përkufizimin e asaj që mund të konsiderohet si informacion i ndjeshëm për të përfshirë “sekretet e punës”, ose informacionin në lidhje me vendimmarrjen e agjencive shtetërore, të cilat mund të jenë veçanërisht problematike për gazetarët, përfshirë korrespondentët e huaj.

“Një shqetësim kryesor për ne është pasiguria se çfarë përbën me të vërtetë një sekret shtetëror”, ka thënë Jens Eskelund, President i Dhomës së Tregtisë së Bashkimit Evropian në Kinë.

“Përkufizimet e qarta do të ishin të dobishme”.

Tajvani gjithashtu ka shprehur shqetësime rreth rregullave të reja dhe ka deklaruar se ato mund të rrezikojnë vizitorët nga ishulli në Kinë.

Këshilli i Çështjeve Kontinentale të Taipeit ka deklaruare se legjislacioni është “shumë i paqartë dhe mund t’i bëjë njerëzit të shkelin ligjin në çdo kohë”.

Firma juridike ndërkombëtare Baker McKenzie FenXun ka thënë se ndërsa përkufizimi i asaj që konsiderohet sekret shtetëror është i gjerë dhe i paqartë, ai nuk duhet të ketë një ndikim thelbësor në kompanitë shumëkombëshe që operojnë në Kinë.

Rregulloret e reja vijnë pasi gjigandi i mediave sociale TikTok dhe kompania e tij mëmë kineze ByteDance, po përballen me një kontroll të shtuar në SHBA dhe vende të tjera perëndimore.

Megjithatë, rregullat e reja “nuk duket se janë të orientuara kryesisht drejt rregullimit të operacioneve jashtë shtetit të firmave kineze”, sipas Mitchell.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore