Kosova

Zhdukja e Mostrave të Astrit Deharit – Ministria pezullon 4 zyrtarë të IML’së


Flutura Goga, udhëheqëse e laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Nardi Sheqergjiu, toksikolog, Anila Lakna, teknike dhe Ilirjana Shala, kimiste janë pezulluar nga puna nga ministria e Drejtësisë, pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ministria e Drejtësisë ka publikuar edhe vendimet për pezullimet e katër zyrtarëve të lartcekur.

Në një konferencë për media të enjten, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se mbrëmë, pra të mërkurën, janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit – aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016 – nga laboratori i toksikologjisë.

Për Haxhiun ky akt përveç se është i rëndë është edhe kriminal.

“Për këtë arsye mbrëmë e kam njoftuar Kryeprokurorin e Shtetit, Besim Kelmendin si dhe Drejtorin e Policisë, Fehmi Hoti”.

“Sot në mëngjes kam vizituar Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe nga zyrtarët kompetent jam njoftuar si në vijim”.

“Në mbajtëset e epruvetave kanë qenë 15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një epruvetë e lukthit”.

“Nga këto instituti 2 epruveta me gjak ja ka dhënë institutit zviceran dhe një policisë për ADN”.

Humbja e mostrave të Deharit: Albulena Haxhiu duhet “ta ofrojë dorëheqjen”

Për këtë rast tashmë kanë nisur hetimet e Prokurorisë.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, theksoi për AP se “tashmë me këtë rast është duke u marrë prokuroria”.

Ndryshe, aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016.

Dehari ishte anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i arrestuar bashkë me disa pjesëtarë të tjerë të kësaj lëvizje, nën akuzat se kanë sulmuar Kuvendin e Kosovës.

Dehari vdiq në burg. Zyrtarisht u konstatua se ka bërë vetëvrasje, por Vetëvendosje ishte e bindur se dikush e ka vrarë atë.

Nga atëherë, provat janë dërguar edhe në institute jashtë vendit, por nuk është arritur të konstatohet se ka pasur persona të tjerë të përfshirë në vdekjen e Deharit.

Familja e tij, qysh nga vdekja, po vazhdojnë betejën për zbardhjen e rastit. Ata, njëjtë si Vetëvendosje, janë të bindur se dikush ua vrau djalin.

Shtetit i zhduken mostrat e Astrit Deharit nga laboratori, “mungojnë 12 epruveta me gjak”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore